E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lakers kampion, Bryant MVP

Los Angeles Lakers janë konfirmuar si skuadra më e mirë e basketbollit në Amerikë. Kampionët e vitit 2009, në ndeshjen e shtatë të zhvilluar të premten, e mposhtën Boston Celtics me rezultat 83:79, duke e mbrojtur kështu titullin e kampionit në NBA.

Ndeshja ishte mjaft luftarake dhe me nerva. Ajo u vendos në minutën e fundit falë qendrës Pau Gasol. Spanjolli, disa sekonda pa përfunduar ndeshja, ishte autor i dy pikëve dhe i dy kërcimeve vendimtare. Ai shënoi 19 pikë dhe pati 18 kërcime, duke e kurorëzuar një ndeshje perfekte.

Të njëjtën gjë e bëri edhe Kobe Bryant, basketbollisti më i mirë i kësaj nate me 23 pikë e 15 kërcime. “Pa Gasol nuk do të mund të fitonim”, ka thënë Bryant, i cili njëkohësisht e ka fituar çmimin MVP të finaleve (lojtari më i rëndësishëm).

“Kjo për mua ishte një ndeshje me të vërtetë e vështirë, ndihesha i lodhur. Për fat, në minutat e fundit gjërat shkuan më mirë. Për mua, ta mposht Bostonin është një gjë e shkëlqyeshme dhe e veçantë. E njoh shumë mirë historinë e këtyre dy skuadrave dhe rivalitetin në mes tyre. Kjo ishte finalja më fizike në karrierën time. Tashmë kam një titull më shumë sesa Shaq”, ka thënë Bryant, pasi Lakers e arriti titullin e 16-të në histori.

Celtics ishin shpallur kampion në vitin 2008, pasi në finale të play-offit i kishin mposhtur pikërisht Lakersat. Tek Boston, më të shquarit ishin Paul Pierce (18 pikë e 10 kërcime), Kevin Garnett (17 - 3) e Rajon Rondo (14 - 8). Për trajnerin Phil Jackson, ky ishte titulli i 11-të në NBA për të, ndërsa tash mund të vendos që të pensionohet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›