E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Një dëshmi e vetme zbardhi vrasjen e Eva Vishës”

11/06/2005  Dëshmitari ka pohuar se, “Aga i kishte thënë në telefon ditën e ngjarjes se kishte bërë një gjë të rëndë”

Një dëshmi e vetme, ka qenë prova kryesore për rifillimin e hetimit dhe zbardhjen e vrasjes së Eva Vishës më 23 maj të vitit 1997. Vetë, personi i akuzuar për vrasjen e saj, Alben Aga nga Tirana, është “rrëfyer” tek një i njohuri i tij dhe i Eva Vishës. Ndërsa ky i fundit, pas gjetjes së trupit të masakruar të Eva Vishës, ka denoncuar në polici ato ç’ka i ka thënë në telefon Aga. Atë ditë kur ajo është ekzkutuar me plumb në kokë, nuk e ka parë asnjë prej familjarëve, miqve dhe të njohurve të saj. Në mbrëmje është vënë re mungesa e saj dhe të afërmit kanë denoncuar zhdukjen. Pas gjetjes së trupit, janë pyetur të gjithë të afërmit dhe miqtë e saj, prej nga ku është siguruar në cilësinë e provës materiale dëshmia e vetme që ka zbuluar vrasësin. Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe dosja i është përcjellë gjykatës për shqyrtim.

Dëshmia

Burime pranë Gjykatës së Tiranës, kanë pohuar dje për gazetën “Metropol”, se dosja penale në ngarkim të Alben Agës për vrasjen e Eva Vishës, përmban vetëm një provë kryesore, që vërteton se ai është vrasësi. Burimet nuk bëjnë të ditur emrin e dëshmitarit, që ka pohuar fjalët që i ka thënë aga ditën e ekzekutimit të Eva Vishës. Kjo, për arsye të sigurisë së tij dhe etikë. Burimet pohojnë se dëshmitari ka qenë i njohur i Eva Vishës dhe i vetë të akuzuarit për vrasje. Madje dhe i pandehuri Aga, resulton se ka pasur njohje me Eva Vishën. Në dosjen që prokuroria ka përcjellë në gjykatë, mësohet të jetë vënë në dispozicion në cilësinë e provës dëshmia që ka zbardhur misteret tetë-vjeçare të vrasjes së Eva Vishës. Sipas dëshmitarit, ditën kur Eva Visha nuk ishte parë në asnjë vend, gjatë orëve të pasdites, i akuzuari Alben Aga e kishte marrë në telefon. Dëshmitari ka pohuar para hetuesve se Aga i kishte thënë në telefon se “kishte bërë një gjë të rëndë atë ditë”. Ndërkaq, dëshmitari pretendon se kur e ka pyetur Alben Agën se çfarë gjëje të rëndë kishte bërë, ky i fundit kishte mbyllur telefonin. Burimet pohojnë se pas dy ditësh, pasi Eva Visha është gjetur e masakruar në kilometrin e 29 Tiranë-Durrës, janë pyetur të gjithë të afërmit dhe të njohurit e saj. Pasi kanë marrë dëshminë për thënien e Alben Agës, është bërë kontroll në banesën e tij, por ai nuk është gjetur aty. Nga familjarët e tij është mësuar se Aga ishte larguar drejt Italisë dhe ende nuk dihet adresa përfundimtare e tij. Burimet e gjykatës pohojnë se largimi në Itali dhe biseda telefonike që Aga kishte kryer, ka hedhur dyshime të forta se ai është vrasësi i Eva Vishës. Prokuroria ka lëshuar një urdhër-arrest ndaj tij dhe ia ka përcjellë Interpolit, sqarojnë burimet e gjykatës.

Interpoli në kërkim të vrasësit pa fytyrë

Policia dhe prokuroria nuk kanë arritur të sigurojnë qoftë edhe një foto të personit të akuzuar për vrasjen e Eva Vishës, më 23 maj të vitit 1997. burime pranë gjykatës kanë pohuar se në dosje nuk ekziston fotografia e vrasësit. Ndërkaq, mësohet se organi i akuzës e ka sqaruar mungesën e fotos së të pandehurit duke theksuar se nuk i është gjetur asnjë foto famijare apo zyrtare. Kështu, nuk është gjetur në arkiva ndonjë foto që ai mund të ketë përdorur për të nxjerrë pasaportën apo patentën. Gjithashtu, edhe në familje nuk i është gjetur ndonjë foto. Kështu që Interpoli, është i detyruar që pas tetë vitesh të kërkojë një njeri pa foton e tij, duke mos përmendur pastaj ndryshimin fizik që mund të ketë ndryshuar. Ndonëse destinacioni i tij fillestar thuhet se ka qenë Italia, më pas nuk është dëgjuar ndonjë adresë tjetër, përfundojnë burimet.

Ngjarja

Eva Visha u qëllua me plumb në kokë dhe u hodh në rrugë

Ka qenë fundi i majit ‘97, kur në Shqipëri kishin filluar trazirat, dita kur Eva Visha, nëna e këngëtares së njohur Elsa Lila, është gjetur e pajetë nga kalimtarë të rastësishëm në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, në Qafë Kërrabë. Burime të prokurorisë thonë se nga këqyrja e viktimës dhe ekspertizës mjeko-ligjore të kryera atëherë, ka rezultuar që ajo të ishte goditur me plumb në kokë. Por, policia atëherë nuk ka arritur të sigurojë prova materiale, pohojnë burimet. Gjithashtu gjendja e nderë gjatë trazirave duket se ka penguar hetimet, sqarojnë ato. Ndërkaq, autori i ngjarjes është larguar pa u vënë re në drejtim të paditur, duke mbetur enigmë për afro tetë vjet. Burimet thonë se nga rifillimi i hetimeve në bazë të një dëshmie, është arritur në një emër konkret të akzuuar për autorësinë, Alben Aga, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Erjeta dhe Kozeta, femrat që u vranë nga të njohurit e tyre

Edhe dy ekzekutime të bujshme të femrave ndodhur vite më parë, dyshohet të jenë kryer nga të njohurit e viktimave. Kështu, më 19 shkurt të vitit 1999, u gjet e masakruar pranë Kinoklubit të Qytetit Studenti, 21-vjeçareja vlonjate Kozeta Hyesni. Vajza e ish-prokurorit të Vlorës në atë kohë, e cila studionte në vitin e dytë të degës Gjuhë-Letërsi pranë Fakultetit të Histori Filologjisë në Tiranë. Ajo u gjet nga persona të rastësishëm mëngjesin e 19 shkurtit. Nga hetimet e kryera është konkluduar se peroni që e ka thirrur ka qenë i njohur i saj. Kjo pasi 21-vjeçareja Hyseni ka dalë dhe ka hipur në autoveturën e tij me të cilën janë larguar jashtë qytetit studenti. Tjetër fakt që tregon njohjen e viktimës me atë të autorit të vrasjes, ka qenë edhe veshja e saj. Kjo, pasi Kozeta ishte e veshur me teshat që mbante në dhomë gjë që tregon se ajo ka dalë të takohet me një të njohur. Gjithashtu, edhe Erjeta Avdyli, bashkëshortja e ish-shefit të Komisariatit nr.1 në Tiranë, dyshohet të jetë vrarë nga një i njohur i saj. Kjo për vetë faktin se ajo u gjet e groposur në fshatin Romanat të Durrësit. Burime të prokurorisë dhe të policisë, thonë se autori i vrasjes, e ka marrë fillimisht në makinë dhe pasi e ka ekzekutuar e ka groposur aty. Fakti që autori fillimisht e ka marrë në makinë Erjetën ka ngritur dyshimet se ata të dy njiheshin me njëri-tjetrin, sqarojnë burimet e akuzës. Erjeta Vadyli, nënë e dy fëmijëve u konsiderua e zhdukur më 30 mars të vitit 2000 dhe u gjet më 14 maj të po këtij viti. Prindërit e saj akuzuan dhëndërrin Dritan Avdyli si autor të ngjarjes. Madje ky i fundit u akuzua edhe nga prokuroria, por u shpall i pafajshëm dhe u dëmshpërblye për kohën që kishte kaluar në burg. Ende pas pesë vitesh kjo vrasje mbetet pa autor, ndonëse është rifilluar disa herë hetimi me kërkesë të prindërve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›