E Diel, 1 Nëntor 2026

Çfarë moraliteti politik do të ketë debati Nano-Berisha?

11/06/2005  Ka filluar të bëhet fakt i kryer, mundësia e një debati politik, publik i dy liderëve kryesorë, Nano dhe Berisha. Madje, është rritur sensibiliteti i opinionit publik, për këtë takim, tani në prag të zgjedhjeve të reja elektorale. Media, stafet përkatëse të dy partive, kanë filluar të bëjnë luftën për të përcaktuar modalitetet paraprake të takimit. Eteri politik i këtyre ditëve është i tejmbushur, jo sikur do të zhvillohet një takim normal parazgjedhor, që është praktikë e njohur, rutinore e politikave elektorale, midis dy liderëve që selitë përkatëse i kanë vetëm 100 metra larg njëri-tjetrit, por sikur do të bëhet takim, që mund të sjellë ndryshime politike epokale. Fryrja e përmasave dhe vlerës së këtij takimi, butaforia intriguese, me të cilën kërkojnë ta idolatrizojnë, nuk janë gjë tjetër veç pasqyrim i njohur, i vjetër dhe tradicional i defektit të politikës personalizuese, e cila ende vazhdon të jetë fort e lidhur me emrat e dy politikanëve historikë, të periudhës së demokracisë në Shqipëri.

Në të vërtetë, nuk ka asgjë të keqe, madje është krejt normale, në procedimet e politikës moderne bashkëkohore ballafaqimi publik i liderëve të partive kryesore që konkurrojnë. Është në logjikën e kompeticionit elektoral, që liderët kryesorë, të partive pretenduese të pushtetit, të "ndeshen" publikisht, në fushën e ideve, të politikës dhe alternativave të qeverisjes. Kjo praktikë është e njohur kudo, këto janë emisionet me audiencë më të madhe në televizion.

Por, në politikën tonë, takimet dhe debatet midis dy liderëve kryesorë, janë akoma më shumë interesante, sepse bëhet midis dy kundërshtarëve, që e kanë shumë të theksuar dhe historik, grindin kundërshtues me njëri-tjetrin. Duam apo nuk duam, Nano dhe Berisha, janë dy liderë historikë në partitë e tyre, triumafatorë në garat politike, me konkurrentët brenda partisë, e për këtë arsye, janë bërë figurativisht “monarkë” të epokës dhe të politikës së re shqiptare.

Në të njëjtën kohë, dihet që, në marrëdhëniet midis tyre si politikanë, qëndrojnë jo vetëm diferenca të polaritetit politik, si përfaqësues të së majtës dhe së djathtës shqiptare. Në mes tyre është një ngjarje, jo e zakonshme, të cilën ata, herëpashere, ja kujtojnë njëri-tjetrit publikisht, një ngjarje, e cila me të gjithë argumentimet mbushamendëse reciproke që janë bërë, nuk u ka mbushur mendjen shqiptarëve, se nuk ka qenë për motive të pastra personale. Është fjala për burgosjen, krejt të padrejtë të Fatos Nanos në 1993, kur President i vendit ishte Berisha. Hija e burgut, edhe pse publikisht të dy liderët, i kanë bërë moratorium këtij relacioni personal, është kurdoherë prezente dhe acaruese në debatin midis tyre. Nuk besoj që kjo ngjarje do të mund t'i shpëtojë debatit të ri, i cili pavarësisht se synon të jetë i orientuar si debat kompetitiv, për rrugët e zhvillimit dhe të alternativave më të mira qeverisëse, për shkak të tensionit, me të cilin ata kanë filluar t'i drejtohen njëri-tjetrit në distancë, me siguri do të përdoret.

Çfarë do të sjellë ky debat, për politikën shqiptare dhe për ta personalisht?

Në të vërtetë, shqiptarët presin një debat të moralshëm, jo konflikt të qëllimshëm personal dhe as shkëmbim batutash të njohura të dialogut të tyre të vjetër e tradicional, të cilat për shkak të shpërdorimit të shpeshtë janë bërë pa vlerë.

Që në fillim duhet të pohoj se klima aktuale është e tillë që e bën të vështirë debatin politik të qetë midis tyre. Ka ca arsye evidente që të krijojnë bindjen se debati i mundshëm, midis tyre, ka shumë gjasa që të zhvillohet në terren konfliktual dhe me tone politike të acaruara.

Nuk besoj, madje siç po duket nga deklaratat e para reciproke, të lëshuara nga zëdhënësit e tyre, edhe ata vetë e kanë kuptuar që ky debat reciprok, Nano-Berisha, nuk ka më vlerë, si rivalitet personal, as si arenë e konkurrimit politik, të kulturës dhe elokuences midis tyre. Me fjalë të tjera, kaloi koha kur debati midis tyre, është pëlqyer, si spektakël politik "serioz dhe argëtues" njëkohesisht, gjithnjë i acaruar, me doza nervozizmi dhe perzonalizimi.

Nuk ka asnjë garanci dhe asnjë interlokutor, që të garantojë se debati i ardhshëm midis tyre, mund të jetë i qetë. Aq më tepër në këto momente, të një raporti delikat midis tyre, si përfaqësues të dy partive, dhe me të njëjtën gjatësi kohore afër dhe larg pushtetit, ky debat do të jetë akoma më i ashpër.

Pse pëlqehet dhe pritet me kaq etje ky debat nga shqiptarët?

Padyshim, debati, midis liderëve kryesorë Nano-Berisha, duhet konsideruar si debat politik elitar. Me shumë vlerë për të ardhmen politike dhe qeverisëse të vendit. Në këtë kontekst, shqiptarëtm normalisht, presin të shikojnë me qetësi, një debat vlerësues të dy modeleve politike, moralin politik të dy liderëve rivalë, sukseset e arritura në këto 8 vjet të qeverisjes, bashkë me mosrealizimet. Veçanërisht shqiptarët presin me shumë interes, përcaktimin e piketave politike dhe të rrugës sonë drejt integrimit evropian.

Padyshim ky debat, pëlqehet gjithashtu, nga shumë njerëz që politikën shqiptare e konsiderojnë si luftë fjalësh. Debati midis tyre, ka dëshmuar hapur, një defekt të rëndë të politikës tonë, për të të cilin Nano dhe Berisha kanë përgjegjësi, sepse janë ideatorët e konceptimit të luftës politike, si luftë fjalësh, batutash, sloganesh. Marrëdhëniet interpersonale politike të tyre e kanë bërë për 15 vjet politikën tonë arenë të bombardimit reciprok, me epitete të çuditshme, midis PS-së dhe PD-së, midis liderëve të tyre historikë. Dominimi i atmosferës politike, nga karizma e tyre, ka krijuar pikërisht klimën e besimit, se apogjeu i çdo politike në Shqipëri, çdo rrugë dhe zgjidhje politike, fillon dhe mbaron me debatin, konfliktin apo konsesusin Nano-Berisha.

Psikologjia politike e shqiptarëve është deformuar, nga koncepti i liderizimit të hapësirës politike. Zhurma e "shpatave të duelit", Nano-Berisha, jo vetëm nuk lejon të dëgjohet asnjë zhurmë tjetër politike, por ajo mbulon dhe sfumon në mënyrë evidente, pjesën tjetër të klasës politike. Personalizmi i politikës shqiptare, në rolin e dy figurave kryesore të politikës, është handikap i madh, i jetës publike e politike në vendin tonë.

Çfarë mund të fitojnë Nano dhe Berisha në këtë duel?

Në këtë debat, padyshim ata që do të kenë qarin dhe zararin, janë të "parët tanë", Nano e Berisha. Veçse, një gjë është fare evidente, dhe synim kryesor i debatit të ardhshëm, midis tyre. Megjithëse, kundërshtarë të vërtetë, me njëri-tjetrin, normalisht, padashur apo me dashje, i shërbejnë politikisht njëri-tjetrit. Pas çdo debati publik, ballëpërballë, apo në eterin politik të acaruar, Nano dhe Berisha dalin më të fortë politikisht, me pozitë dominuese më të qartë në partitë e tyre. Së dyti, gjithnjë ky duel, është zhvilluar në momente të kapërcimit të vëshirësive brenda partive të tyre, kur kanë patur probleme me pozitën personale. Debati Nano-Berisha është shfaqur si "ilaçi politik" më mirë, për të mbajtur të bashkuar partinë, nga rivalët konkurrues brenda saj dhe rrezikun e përçarjes. Në këtë lojë force politike, Nano dhe Berisha sigurojnë gjithashtu më shumë aleatë të vegjël të së majtës dhe të djathtës, të cilët janë të detyruar të jetojnë në orbitat e fuqishme politike të PD-së ose PS-së, duke forcuar klientelizmin e tyre.

Pse ka kaq shumë sukses kjo ”shfaqje politike” e realizuar me të njëjtët aktorë dhe e përsëritur vazhdimisht?

Nano dhe Berisha janë aktorë, regjisorë dhe ideatorë të skenës politike shqiptare. Ata e dinë shumë mirë dhe e njohin karakterin e shqiptarit, i cili më shumë se çdo komponent të tij ka të zhvilluar sensin ideologjik dhe nevojën për debat. Ata e dinë njerëzit në këtë vend janë “homo ideologicus", të cilët kanë nevojë për "ushqim politik", për të qenë të karikuar. Për njeriun ideologjik (rudiment i së kaluarës) më shumë rëndësi ka fjala, sherri, debati, sharja sesa argumenti. Dueli Nano-Berisha është një lëndë e pasur, që ushqen këtë kategori njerëzore. Në çdo kuptim, debati është më shumë në favor të tyre, sepse, nëpërmjet debatit i shërbejnë nevojave të partive, për “ideologji”. Pas çdo debati, midis tyre, qytetarët me përkatësi të ndryshme politike, komentojnë fjalët, ironitë, batuat e liderëve të tyre.

Analiza populiste militantiste e efekteve të debatit e ka një të mirë. Nuk i intereson shumë njerëzve, thelbi i debatit, por ambalazhi i tij, jo përmbajtja, por forma e tij, si spektakël politik. Politikanët profesionistë Nano e Berisha, mjeshtër të testimit të nivelit të karikimit politik të baterive të partive të tyre, herëpashere, kur e mendojnë që njerëzit, kanë nevojë për motivim, kur temperatura politike e partive ftohet, kur pozita e tyre brenda lëkundet dhe autoriteti, ka shenja dobësimi, kur këshilltarët japin alarmin se kanë filluar të shfaqen dyshime për pozicionet politike respektive, e kanë gjetur mekanizmin korrigjues. Është debati publik, midis tyre, si duel reciprok. Debati publik mediatik, ose në parlament, që ka ndikimin e vet, në rivendosjen e ekuilibrit politik, të pozicionit të tyre në parti. Forcohen pozitat, shpërndahet mjegulla e dyshimit, fashiten “komplotet” eventuale të pretendentëve konkurrues, plotësohet nevoja e njerëzve ideologjikë, për debat politik fjalësh e batutash, temperohet atmosfera që mban gjallë konfliktin, PS, PD përgatiten njerëzit, që do të luajnë role të caktuara, në garën për pushtet.

Me fjalë të tjera, debati, dueli, konflikti, Nano-Berisha është bërë mekanizëm "perpetum mobile" që ka 15 vjet, që vë në lëvizje politikën, që përcakton kurbën e lëvizjes së saj. Pavarësisht se në shumë raste, kjo politikë ka qenë politikë fjalësh apo politikë konfliktuale. Ka një konstante, të opinionit publik, e cila debatin Nano-Berisha e vëzhgon më shumë nga jashtë, si spektakel politik dhe argëtim publik dhe fare pak si element, i cili ka role, mundësi dhe përgjegjësi për zhvillimin e vendit.

Modeli i zhvillimit të politikës sonë që personalizon debatin në dy figurat kryesore të politikës, ideologjizmi i saj, i panevojshëm, e ka ulur vlerën e debatit, për shkak të zhvillimit jo mbi principe të qarta të nevojave për zhvillim dhe progres kohor, por mbi bazë konflikti e rivaliteti personal, duke përdorur kritere ideologjizante. Ideologjizmi i dhe personalizimi i debatit, konfliktualiteti politik, i hapur apo i kamufluar, i krijon shumë akses politikës sonë, që ka goxha përgjegjësi, për vonesat e zhvillimit dhe integrimit evropian, të krijojë një steriotip të opininonit publik, duke e tërhequr atë në grackën e debatit , duke frenuar të menduarit, analizën e thelluar të përgjegjësive të saj evidente.

Nuk ka opium më të mirë, për të mpirë mendjen njerëzore dhe larguar atë, nga problemet thelbësore, sa debati publik me lëvozhgë ideologjike, i cili maskon thelbin e problemeve aktuale.

Koncepti dhe parapëlqimi i politikës, si luftë fjalësh, si konflikt liderësh, është defekt serioz i shoqërisë civile, niveli i pakënaqshëm i së cilës, vazhdon të jetë shtrat i ngrohtë, për lulëzimin e politikës fjalamane, ideologjike, konfliktuale. Politikanët tanë, i njohin defektet e popullit të vet, i kuptojnë dhe nevojat e tyre, për më shumë konflikt verbal e literal. Fundja, produkti i tij është plotësimi i nevojës për dukje politike, vlerësimi siperfaqësor i dukurive, aftësitë e kufizuara për të kuptuar dhe interferuar gjërat në thelb. Këto defekte e kanë bërë më të lehtë, ushtrimin e politikës pa shumë përgjegjësi për politikanët tanë. Politika me koperturë të jashtme tërheqëse, debatet e forta publike të liderëve politikë, janë plotësim i dëshires së shqiptarëve, për politikë të ideologjizuar, për demonstrim force të jashtme, për konkurrim personal dhe nominal, për politikë fasadë.

Produkt i këtyre shijeve, është nevoja e ngutshme për debatin e radhës Nano-Berisha. Ky binom historik është i detyruar të plotësojë këtë kërkesë të shqiptarëve, sepse as ata nuk mund të dalin nga rrethi vicioz, në të cilin mbijetojnë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›