E Diel, 1 Nëntor 2026

Starova: Tirana e meriton vendin e pare

21/03/2005  Pas fitores kundër Shkumbinit, trajneri i bardhebluve ka shprehur kënaqësinë për ecurinë e skuadrës

Me fitoren e arritur kundër Shkumbinit në stadiumin “Tofik Jashari”, të Shijakut, skuadra kampione ka hedhur një tjetër hap drejt titullit të 22 kampion. Pa dashur ta shpallim para kohe kampione skuadrën e Tiranës, me avantazhin që ajo ka kundrejt rivalit kryesor, Elbasanit, duhet të theksojmë se “countdown”-i ka nisur dhe deri në fund të kampionatit, kampionëve i mbeten edhe tetë ndeshje. Fitorja kundër peqinasve, ka qenë jo shumë e lehtë për bardheblutë, megjithatë sipas teknikut të Tiranës, në këto momente të vështira për Tiranën, të kushtëzuar nga dëmtimet e shumta, ka rëndësi vetëm fitorja. “Edhe pse shënuam dy gola që në pjesën e parë, mendoj se fitorja me Shkumbinin nuk ishte edhe aq e lehtë. Në pjesën e parë, skuadra doli mjaft mirë në lojën e saj, një lojë e rrjedhshme, e cila u konkretizua edhe me dy golat e shpejtë. Sigurisht me mundësitë, që na u dhanë në pjesën e parë, mund të kishim realizuar edhe gola të tjerë, por nuk ia arritëm. Në pjesën e dytë, skuadra nuk arriti të gjente ritmin e pjesë së parë, kjo edhe për meritë të kundërshtarit, i cili u përpoq të kthente rezultatin, duke na vënë në vështirësi jo të pakta. Shkumbini luajti mjaft lirshëm dhe pa presion mbi supe dhe kjo bëri, që ata të shënonin dhe të na rrezikonin, edhe në disa raste të tjera. Jam i kënaqur për këtë fitore, që erdhi kundër një kundërshtari të fortë, që ka treguar vlera dhe ka shfaqur një futboll të bukur”,- ka deklaruar fillimisht trajneri i kampionëve, Sulejman Starova. Më tej, tekniku i bardhebluve është ndalur te klasifikimi. Edhe pse Starova nuk e ka përmendur faktin, se Tirana me këtë fitore ka bërë edhe një hap më shumë, drejt kurorës numër 22, ai ka shtuar se me këtë fitore, Tirana ka treguar se nuk është për rastësi në krye të klasifikimit. Madje ai ka theksuar, se Tirana e kryeson me meritë kampionatin dhe është në rrugë të mbarë, drej realizimit të objektivit kryesor të sezonit. “Ishte një fitore tepër e rëndësishme, që na konfirmon në krye të kampionatit. Kemi treguar dhe po tregojmë, se Tirana e kryeson me meritë këtë kampionat dhe është në rrugë të mbarë për t’ia arritur objektivave të sezonit”,- ka shtuar më tej Starova. Ndërkohë, pas kësaj fitoreje kampionati do të bëjë pushim, duke i lënë vendin Kombtares sonë për dy ndeshjet eliminator për Botërorin 2006. Një rast i mirë ky për Tiranën, e cila do të ketë 2 javë kohë për të rikuperuar disa futbollistë të dëmtuar. Këtë fakt, e ka vlerësuar në fund të intervistës së tij, tekniku Starova. “Kjo periudhë pushimi vjen në një moment tepër të favorshëm. Duke qenë se infermeria jonë është plot, ky dyjavësh do të na shërbejë për të rigjeneruar forcat dhe për të rikuperuar futbollistët e dëmtuar”- ka mbyllur tekniku i kampionëve, Sulejman Starova.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›