Lamaj, refuzon të vijë në gjyq që prej katër seancash
16/12/2004 TIRANË – Altin Lamaj, pronari i lokal "Venecia", që prej katër seancash nuk pranon të paraqitet në gjykatë. Në një letër dore, shkruar dhe dorëzuar policëve të togës së shoqërimit, Lamaj është shprehur se nuk dëshiron të marrë pjesë në gjyq dhe se është dakord të përfaqësohet nga avokati i tij, Ferdinad Doja. Megjithë përgjigjen e dhënë, seanca e djeshme ndaj të pandehurit Lamaj, ka dështuar. Gjykata është detyruar të caktojë një datë tjetër dhe të pezullojë afatet e paraburgimit. Altin Lamaj, akuzohet se në bashkëpunim me Elidon Kotorrin ka kryer disa vepra penale në periudhën kohore 1999–2000. Bëhet fjalë për disa vrasje që ndodhën në zonën e Tiranës së Re, ku gjetën vdekjen pesë persona. Për të njëjtat akuza, Kotorri u dënua me burgim të përjetshëm, pak kohë më parë nga Apeli. Altin Lamaj u ndalua dhe më pas u arrestua nga policia mesin e vitit të kaluar. Shkak u bë ardhja e aparatit të ri për zbulimin e gjurmëve të gishtave.