E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lame, Krimet e Rënda bashkojnë dosjet

23/03/2005  Atentati më 17 tetor te TVA-ja ndaj Lames

Atentati me tritol që i mori jetën kreut të Federatës Shqiptare të Boksit, nuk ishte i pari për të. Mbrëmjen e datës 17 tetor të vitit 2004, Vajdin Lame dhe inxhinieri Xhevahir Ngjeqari u goditën nga një breshëri plumbash pranë televizionit "Arbëria", pak metra larg qendrës së kryeqytetit. Dy të plagosurit ishin të ftuar tek emisioni "Zonë e lirë" të gazetarit Arjan Çani. Me të përfunduar emisioni, të ftuarit dhe drejtuesi i programit televiziv po dilnin për të pirë një kafe së bashku, në baret atypari. Befas, nga errësira, përballë pab "Luks", u goditën nga persona që udhëtonin me një automjet tip “Golf” i bardhë. Mbetën të lënduar lehtë në këmbë Vajdin Lame dhe Xhevahir Ngjeqari. Ata u dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak, për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Pas mjekimit, ata lanë shtretërit e SQUT-së për të vijuar kurimin në banesë. Vrasësit, sakaq arritën t’u shpëtonin ndjekjeve të bluve dhe dogjën makinën e krimit në afërsi të “Shkollës së kuqe”. Ata nuk u arritën të zbuloheshin, pasi në përpjekje për të shuar zjarrin, banorët përreth zhdukën gjurmët e ekzekutorëve. Grupi hetimor kreu veprimet në vendin e ngjarjes si dhe mori dëshmitë e protagonistëve të ngjarjes.

Prokuroria e Krimeve të Rënda konkludon zyrtarisht në lidhjen mes dy atentateve kundër biznesmenit të njohur Vajdin Lame. Dje është ç’regjistruar nga Prokuroria e Tiranës dosja hetimore e atentatit te TVA-ja dhe i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Dosja hetimore për atentatin te TVA-ja, më 16 tetor të vitit të kaluar, ku Lame dhe Ngjeqari mbetën të plagosur, u hetua për rreth një muaj nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Kjo e fundit ia kaloi për kompetencë Prokurorisë së Tiranës, e cila e pezulloi për plotësim me prova. Pas atentatit të dytë të 28 shkurtit të këtij viti, ku Lame së bashku me mikun e tij Artan Arsi humbën jetën, u dyshua se të dyja ngjarjet kishin lidhje mes tyre. Nga burime të organit qendror të akuzës, u mësua se kishte edhe prova që e vërtetonin këtë fakt, të cilat nuk bëheshin të ditura për shkak të sekretit hetimor. Gjithashtu po hetohet për të gjetur blerësin e eksplozoivit, që mendohet të jetë sjellë nga jashtë. Burimet thonë se një nga të dyshuarit si të implikuar në atentatin ndaj Lames te TVA-ja ishte edhe Emiliano Shullazi, i cili u arrestua katër ditë më parë për armëmbajtje pa leje. Por ky i fundit është shprehur i habitur para hetuesve për dyshimet e ngritura ndaj tij, duke pohuar se nuk kishte asnjë lidhje apo konflikt me Lamen. Burimet thonë se gjurmët e gishtërinjve të tij janë çuar për ekspertizë për t’u krahasuar me ato të skeduara nga policia dhe ato të gjetura në autoveturën e përdorur nga autorët gjatë atentatit te TVA-ja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›