E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lame, hetuesit amerikanë marrin dosjen në dorë

11/03/2005  Dy agjentët e PAMECA-s do të hetojnë mbi trafikun e lëndëve plasëse në Ballkan

Dy ekspertë amerikanë të misionit PAMECA në Shqipëri, të specializuar në luftën kundër trafiqeve të armëve dhe lëndëve plasëse, kanë marrë dje në dorë dosjen hetimore për atentatin ndaj biznesmenit të njohur Vajdin Lame. Qëllimi i bashkëpunimit të kësaj strukture të drejtësisë amerikane është gjetja e burimeve dhe tregjeve të lëndëve plasëse në Ballkan dhe në Shqipëri, për pasojë identifikimin e shitësve e blerësve të eksplozivit që u përdor kundër Lames. Një kontakt të ngushtë agjentët amerikanë do të kenë edhe me grupin e posaçëm hetimor të ngritur në Ministrinë e Rendit, lidhur me atentatin e organizuar ndaj Lames dhe mikut të tij, Artan Arsi, në orën 00.40 të hënën e javës së kaluar. Përvoja e ekspertëve të tej Atlantikut do jetë një ndihmë për hetimin në këtë ngjarje të rëndë.

Bashkëpunimi

Duket se atentati që mori jetën e presidentit të Federatës së Boksit, Vajdin Lame, është bërë një indicio për hetimin mbi trafikun e armëve dhe, veçanërisht të lëndëve plasëse të cilësisë së lartë në Shqipëri e në gjithë Ballkanin. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Metropol” nga burime të Prokurorisë, të cilat sqaruan se dy hetues të misionit PAMECA në Shqipëri janë njohur dje me dosjen hetimore lidhur me atentatin ndaj Lames, në kuadër të bashkëpunimit dypalësh të drejtësive të dy vendeve. Mësohet se hetimi i dy ekspertëve kriminalistikë të misionit të huaj, do të përqendrohet lidhur me trafikun e eksplozivit, që paraprakisht rezulton t’i përkasë familjes C. Burimet sqarojnë se ata do të kryejnë edhe ekspertizën përfundimtare për të konkluduar në llojin e eksplozivit që shkatërroi ashensorin me të cilin Lame po ngjitej për në banesë, në pallatin ku ndodhet pastiçeri “Venecia”, pranë stadiumit “Qemal Stafa”. Kjo për shkak të mjeteve logjistike të sofistikuara që ata disponojnë, sqarojnë burimet. Por duket se interesi i amerikanëve është përqendruar në burimin e lëndëve plasëse me rrezikshmëri të lartë, rrugëkalimet dhe tregjet e saj. Nisur edhe nga fakti që drejtësia amerikane gëzon më shumë akses përsa i përket procedurave të marrjes së informacioneve jashtë shtetit. Burimet pohojnë se hetimi për gjetjen e burimit të eksplozivit që u përdor në atentat, ka filluar edhe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Mësohet që hetimi të jetë shtrirë në vendet e rajonit dhe është kërkuar informacion nga drejtësitë e këtyre vendeve, lidhur me trafikun e lëndëve plasëse të kësaj cilësie. Ky hetim është një nga pikat kyçe të verifikimeve, pasi shpresohet të identifikohet shitësi dhe më pas blerësi, sqarojnë burimet.

Hetimi

Hetimi i Prokurorisë dhe i policisë është përqendruar tashmë në kryerjen e disa verifikimeve, që mendohet të çojnë të paktën në një emër konkret të bashkëpunëtorëve të atentatit ndaj Lames. Burimet thonë se është konkluduar se dy atentatet, ai te TVA-ja dhe ky i fundit kanë lidhje me njëri-tjetrin dhe pas tyre mund të fshihet e njëjta “dorë”. Kështu mësohet se nga verifikimet paraprake ka rezultuar që autovetura tip “Opel”, gjatë atentatit te TVA, nuk është e vjedhur. Burimet thonë se dyshohet që ajo të jetë blerë në Gjermani, por se ende nuk është bërë i mundur identifikimi i tij. Kjo, pasi dyshohet që ai mund të ketë përdorur identitet të rremë për blerjen e autoveturës me anë të dokumenteve të falsifikuara. Burimet pohojnë se, nëse arrihet të identifikohet blerësi i kësaj autoveture, kjo mund të çojë në një emër të dyshuar si autor i atentatit të parë, e më pas te bashkëpunëtorët e tij. Një tjetër pistë e hetimit ku është përqendruar Prokuroria për gjetjen e autorëve të atentatit ndaj Lames, është edhe ajo e verifikimit të numrit celular që aktivizoi lëndën plasëse. Për këtë arsye u është kërkuar të dy kompanive celulare në vend që të identifikojnë numrin, i cili nuk ka qenë i përdorur më parë dhe që ka marrë thirrje në momentin e shpërthimit.

Makina e atentatorëve te TVA, dyshohet e blerë në Gjermani

Më 16 tetor të vitit të kaluar, një breshëri automatiku u shkreh kundrejt biznesmenit të njohur Vajdin Lame, inxhinierit Xhevahir Ngjeqari dhe gazetarit Arian Çani. Ky i fundit shpëtoi pa asnjë dëmtim, ndërsa dy të ftuarit e tij në emisionin “Zonë e Lirë” u plagosën lehtë. Atentatorët, që u dyshua të ishin tre, nuk u njohën nga të dëmtuarit dhe u larguan në drejtim të shkollës së “Kuqe”, ku braktisën autoveturën tip “Opel” dhe i vunë flakën. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23.30 minuta në shkallët e prapme të TVA-së te Pallati i Kulturës. Prokuroria, atëherë sekuestroi në cilësinë e provës materiale më shumë se 25 gëzhoja si dhe autoveturën e braktisur. Në garazhin e makinës u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy karikatorë kallashnikovi të bashkuar me nastro. Në nastro u gjetën gjurmë gishtat, por nga krahasimi ato nuk rezultuan të njëjta me asnjë prej ato të skeduarve nga policia. Gjithashtu, edhe gjurmët e personave të shoqëruar nuk korresponduan me ato të gjetura në nastro, që dyshohet të kenë qenë të autorëve. Por Prokuroria arriti të identifikojë se autovetura e përdorur nga atentatorët nuk ishte e vjedhur dhe se ajo dyshohej të kishte ardhur nga Gjermania. Por ende nuk është bërë e mundur të identifikohet se kush ka qenë personi që e ka blerë atë jashtë shtetit dhe nëse ia ka shitur më pas apo jo në Shqipëri dikujt tjetër. U desh ekzekutimi i Lames që të rifillojë verifikimi për blerësin e kësaj makine.

Një grup i organizuar ekzekutoi Lamen dhe mikun e tij

Ka qenë ora 00.40 e 28 shkurtit të këtij viti, kur një sasi eksplozivi e një lloji të panjohur më parë në Shqipëri, shpërtheu në ashensorin me të cilin po ngjitej për në banesë, biznesmeni i njohur Vajdin Lame dhe miku i tij, Artan Arsi. Nga hetimet e policisë dhe të prokurorisë rezultoi se shpërthimi ishte kryer me anë të një celulari të montuar në lëndën plasëse, të cilit i ishte kryer thirrje. Sipas burimeve policore, dyshohet se për atentatin ndaj Lames kanë bashkëpunuar disa persona. Kjo për faktin se personi që ka montuar eksplozivin, dyshohet të ketë qenë specialist në fushën e shpërthimeve. Gjithashtu, policia hodhi dyshimet se prezenca e Lames në ashensor është ndjekur me anë të mikrokamerave, të cilat mund të kenë qenë të montuara në skajet e tavanit dhe pamjet janë parë në një kompjuter portativ. Sipas policisë, rezulton që eksplozivi të jetë trafikuar nga jashtë, pasi një lloj i tillë nuk gjendet në vend. Ndërsa nga rindërtimi i skemës së ngjarjes nga policia, paraprakisht rezultoi se dikush duhet të ketë ndjekur lëvizjet e Lames gjatë gjithë ditës. Burime policore thonë se atentatorët kanë pasur dijeni dhe se një nga ashensorët kanë qenë të prishur dhe e kanë hartuar planin me detaje të imtësishme, me qëllim që objekti i tyre të mos kishte asnjë shans për të shpëtuar. Nisur nga ky fakt lindën edhe dyshimet se numri telefonik që gjendej në celularin e montuar në lëndën plasëse nuk ishte përdorur më parë, me qëllim evitimin e çdo thirrje aksidentale. Burimet sqarojnë se e vetmja provë materiale që u gjet në vendngjarje është një kaskë telefoni celular “Siemens”, që dyshohet të jetë e atij të montuar në eksploziv. Prokuroria ende nuk ka arritur në ndonjë emër konkret të dyshuar për autorësinë e këtij atentati dhe motivin e tij. Mësohet se po verifikohet e gjithë e kaluara e Lames si biznesmen dhe si funksionar policie, për të gjetur ndonjë konflikt të mundshëm. Burimet përfundojnë se nuk përjashtohet edhe pista që Lame të jetë vrarë për shkak të detyrës që ka kryer si zyrtar i Policisë së Shtetit dhe se po verifikohet për çdo konflikt të mundshëm që ai mund të ketë patur.

Biznesmenët e vrarë pas vitit 1990 në Shqipëri

1- Abaz Ulliri, 45 vjeç, biznesmen i prodhimit të mobiljeve në Nikël të Krujës, i aksidentuar në maj të vitit 1995. Nga hetimi dyshohet që të jetë vrarë për shkak të konkurrencës në biznes. Ende nuk ka ndonjë autor të dyshuar.

2- Remzi Hoxha, 42 vjeç, pronar i një punishteje duralumini, rezulton të ketë humbur që prej 21 tetorit të vitit 1995. Sipas hetimit, dyshohet që të ketë vdekur për shkak të ushtrimit të dhunës fizike. Ende nuk ka autorë të dyshuar për zhdukjen e tij.

3- Stefano Rossi, 24 vjeç, pronar i një fabrike të prodhimit të këpucëve në Tiranë, i vrarë më 27 janar të vitit 1998. u konkludua se ishte vrarë nga vëllezërit Avdillari të cilët e kishin grabitur.

4- Koço Dado, 47 vjeç, tregëtar mallrash ushqimorë, rezulton i zhdukur që prej 8 qershorit të vitit 1988. dyshohet të jetë vrarë pas marrjes peng për 1 milionë dollarë. Edne nuk dihen autorët.

5- Agim Xhixha 45 vjeç tregëtar karburantesh në Tiranë, i vrarë më 18 mars të vitit 2000. dyshohet të jetë vrarë për shkak të konkurencës në biznes. Edne asnjë i dyshuar si autor i vrasjes së tij.

6- Riza Çeço,43 vjeç tregëtar këpucësh në Tiranë, i vrarë më 19 dhjetor të vitit 2001. dyshohet të jetë vrarë për shkak të aktivitetit që ushtronte. Nuk është idnetifikuar asnjë prej autorëve të vrasjes së tij.

7- Ardian Çobo, 26 vjeç, pronar i disa lokaleve në Berat dhe president i ekipit të “Tomorrit”. I vrarë më 13 maj të vitit 2000. dyshohet të jetë ekzekutuar për hakmarrje nga Aglin Goxhi.

8- Florian Vila 38 vjeç, biznesmen i tregëtimit të hekurit i vrarë më 9 prill të vitit 2003. dyshohet të jetë ekzekutuar për shkak të konkurencës në biznes ose për probleme personale. Asnjë i dyshuar si autor i vrasjes së tij.

9- Fatmir Rama, 35 vjeç pronar i kompleksit sportiv “Kartodrom” në Tiranë, i vrarë më 29 mars të vitit 2003. Dyshohet të jetë vrarë për hakmarrje. Një nga autorët e akuzuar Lavdërim Tufa nga Lundra.

10- Myftar Çela 45 vjeç, pornar i një kompleksi pularie në Shkodër dhe president i “Vllaznisë”. I vrarë më 14 qershor të vitit 2003. Dyshohet të jetë vrarë për borxhe. I arrestuar ai ekzekutor Bajram Mulaj.

11- Arben Fodulli (Pojani) 34 vjeç, tregëtar i njohur i mishit, pronar butiqesh dhe floktoresh, i vrarë më 22 gusht të vitit 2003. dyshohet të jetë vrarë nga frika e një hakmarrje të mundshme për vëllanë e tij të ekzekutuar në vitin 1998, Petraq Fodullin. Autorët ende të pazbuluar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›