E Hënë, 2 Nëntor 2026

Superfuqitë italiane

11/03/2005  Eliminimi i Realit nga Juventusi dhe i Mançesterit nga Milani bën favoritë, dy kryesuesit e Serisë A

Juventusi e Milani kanë kaluar në çerekfinale, ndërkohë që edhe Interi ka shpresa të mëdha, kur të përballet me Porton, pas një jave. Futbolli italian ka arritur në këtë mënyrë të “hakmerret” për zhgënjimet e edicionit të kaluar të Ligës së Kampioneve, kur humbja e turpshme e Milanit kundër Deportivo La Korunës, i dha fund paraqitjes së skuadrave italiane, në mënyrë të parakohshme. Shpeshherë në “shënjestrën” e kritikave ndërkombëtare, që nuk e konsideron futbollin italian ndër më të bukurit në botë, futbolli “made in Italy”, u ka dhënë dy leksione të ashpra Real Madridit dhe Mançesterit, dy përfaqësueset e vërteta të futbollit spanjoll e anglez. Trajneri i Juves, Fabio Kapelo, kishte kërkuar vëmendje dhe përqendrim nga lojtarët e tij dhe ia doli mbanë, sepse ishte i vetëdijshëm se mbrojtja pak “galaktike” e Realit do të linte shumë hapësira. Trajneri bardhezi kreu gjithçka në perfeksion: Pesoto që nga minuta e parë, ndërrimet e duhura, edhe ai i Del Pieros me Trezegenë dhe zgjedhja për t’i besuar Zalajetës deri në fund, autori i golit vendimtar. Reali kishte frikë forcën fizike të Juventusit, por bardhezinjtë kanë triumfuar edhe në planin e cilësisë, me Ibrahimoviç e Kamoranezin, të pakapshëm nga mbrojtësit spanjollë. Mjaft i zoti është treguar edhe trajneri i Milanit, Karlo Ançeloti, në ndeshjen e së martës kundër Mançester Junajtid, duke bllokuar “Djajtë” e Fergusonit dhe duke i dominuar nëpërmjet armës më të fortë, zotërimit të topit. Edhe në këtë ndeshje, cilësisht Milani ka dominuar, me anë të Pirlos, Sedorfit e Gatuzos, të cilët e kanë vënë poshtë mesfushën angleze. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se si Milani, ashtu edhe Juventusi, kishin mungesa të rëndësishme, si ato të Shevçenkos e Nedvedit, jo rastësisht fitues të “Topit të Artë” dy vitet e fundit. Problemi i vetëm në këtë moment, duke parashikuar edhe një kualifikim të Interit, është se shorti i çerekfinaleve mund të vërë përballë pikërisht dy skuadra italiane, gjë që të tre klubet duan ta evitojnë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›