Rehagel, asnjë surprizë në listë
11/03/2005 Trajneri gjerman i Greqisë, Kampione e Evropës, Oto Rehagel, ka shpallur gjatë ditës së djeshme një listë parapreke me emrat e të besuarve të tij për ndeshjen e rradhës për Eliminatoret e Botërorit, Gjermani 2006, kundër Gjeorgjisë dhe Shqipërisë më 26 dhe 30 mars. Sipas lajmeve të bëra publike në faqen e internetit të gazetës më të madhe sportive në Greqi, “Sportime”, në këtë listë janë pak a shumë të njëjtët emra, të cilët janë shpallur kampionë të Evropës korrikun e kaluar. Edhe sipas komenteve të bëra nga shtypi grek, në këtë listë paraprake prej 14 futbollistësh nuk ka asnjë surprizë. Më saktë, bëhet fjalë për ftesat që u janë dërguar futbollistëve helënë, që luajnë jashtë Greqisë. Kështu, për ndeshjet e 26 dhe 30 marsit të ardhshëm, kundër Gjeorgjisë dhe Shqipërisë, trajneri i Greqisë, Oto Rehagel ka thirrur këta futbollistë: Halkia, Fisas, Zagoraqis, Vrizas, Seitaridis, Dellas, Amanatidis, Karagunis, Haristeas, Kapsis, Sotiri Qiriako, Janakopulos, Laki dhe Tsartas. Siç shihet edhe nga lista e futbollistëve të cilëve u është dërguar ftesa nga Rehagel, bëhet fjalë për ata që luajnë jashtë Greqisë, ndërkohë, që nga java e ardhshme Rehagel pritet të bëjë publike të gjithë listën prej 22 futbollistësh, që do të jenë të gatshëm për sfidat e ardhshme të Greqisë. Ndërkohë, kombëtarje greke do t’i nisë përgatitjet e saj në datën 22 mars.