E Diel, 1 Nëntor 2026

Lame, provat e atentatit te TVA i marrin Krimet e Rënda

22/03/2005  Prokuroria e Krimeve të Rënda konkludon zyrtarisht në lidhjen mes dy atentateve kundër biznesmenit të njohur Vajdin Lame. Dje është ç’regjistruar nga Prokuroria e Tiranës dosja hetimore e atentatit te TVA-ja dhe i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol” nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se ky kalim i dosjes së atentatit te TVA-ja, ku Lame u plagos është bërë për shkak të konkludimit zyrtar për një lidhje të mundshme mes dy ngjarjeve. Dosja hetimore për atentatin te TVA-ja, më 16 tetor të vitit të kaluar, ku Lame dhe Ngjeqari mbetën të plagosur, u hetua për rreth një muaj nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Kjo e fundit ia kaloi për kompetencë Prokurorisë së Tiranës, e cila e pezulloi për plotësim me prova. Pas atentatit të dytë të 28 shkurtit të këtij viti, ku Lame së bashku me mikun e tij Artan Arsi humbën jetën, u dyshua se të dyja ngjarjet kishin lidhje mes tyre. Nga burime të organit qendror të akuzës u mësua se kishte edhe prova që e vërtetonin këtë fakt, të cilat nuk bëheshin të ditura për shkak të sekretit hetimor. Nga burimet mësohet se dje, janë marrë të gjitha materialet e dosjes hetimore në Prokurorinë e Tiranës dhe i kanë kaluar asaj të Krimeve të Rënda. Ndërkaq pritet përzgjedhja e numrit që ka marrë thirrje në momentin e shpërthimit te eksplozivit, për të konkluduar më pas në identitetin e pronarit të tij. Gjithashtu po hetohet për të gjetur blerësin e eksplozivit, që mendohet të jetë sjellë nga jashtë. Burimet thonë se një nga të dyshuarit si të implikuar në atentatin ndaj Lames te TVA-ja, ishte edhe Emiljano Shullazi, i cili u arrestua tri ditë më parë për armëmbajtje pa leje. Por ky i fundit është shprehur i habitur para hetuesve për dyshimet e ngritura ndaj tij, duke pohuar se nuk kishte asnjë lidhje apo konflikt me Lamen. Burimet thonë se gjurmët e gishtërinjve të tij janë çuar për ekspertizë për t’u krahasuar me ato të skeduara nga policia dhe ato të gjetura në autoveturën e përdorur nga autorët gjatë atentatit te TVA-ja. Bashkë me të u ndaluan edhe biznesmeni Landi Baçi dhe baxhanaku i tij italian, Claudio Corovino, i cili u lirua. Ndërsa u arratisën dy persona të tjerë, që dyshohet të kenë qenë Dritan Dajti dhe një nga pinjollët e fisit Borova. Në autoveturën tip “Benz” me targa të huaja, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale katër pistoleta dhe një radio policie. Sot pritet që ndaj tij të merret masa e sigurisë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Durrësit, thonë burimet e Prokurorisë së Përgjithshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›