Lamtumira e Mou, te Reali për 4 vjet
“Puna ime tek Interi mbaroi. Tani dua të bëhem trajneri i vetëm që fiton Champions League me tri skuadra të ndryshme”. Lamtumira e Murinjos është realitet. Të gjitha gazetat e Europës e japin për të sigurt kalimin e portugezit te Reali. Por shumë prej tyre shtojnë edhe detajet e marrëveshjes. Murinjo, trajneri i madrilenëve është tashmë vetëm çështje orësh: praktikisht i konfirmuar nga vetë portugezi menjëherë pas fitimit të Champions. Në Spanjë, shtypi, i cili nuk kishte dyshime që para finales, ka nisur festën e mbërritjes së “Special One” në kryeqytet. "Fechado!" (“E morëm!) titullonte “AS” gjithë faqen e parë mbi një foto të madhe të Murinjos me kupën në duar. “Madridi merr një kampion”, përgjigjet e përditshmja tjetër e madhe sportive pranë Realit, “Marca”. “Me voy" (“Po iki”), shkuan “El Pais”, dhe “El Mundo” lajmëron se “Murinjo, komandon tashmë në Madrid”. Sot, sipas gazetave spanjolle, tekniku aktual i Realit, kiliani Manuel Pelegrini do të shkarkohet dhe do të marrë një dëmshpërblim prej 4 milionë eurosh, ndërsa Murinjo do të duhet të “flasë” me presidentin Florentino Perez. Por të gjithë shprehen për një tratativë praktikisht të mbyllur. “Marca” shpjegon se Perez e ka takuar dy herë Masimo Moratin të premten dhe “AS” siguron se, marrëveshja mes Florentinos dhe Murinjos është arritur faktikisht që të premten. Kontrata do të jetë katërvjeçare për 10 milionë euro neto në sezon, dhe do të firmoset “mes të martës dhe të mërkurës” së ardhshme. Me rastin e ardhjes së portugezit, katalanasja “El Mundo Deportivo” ka krijuar për tifozët e Realit një term të ri "Moudridista". Tani është dorëzuar edhe presidenti Morati, i cli përmend klauzolën e prishjes së kontratës me trajnerin: “Murinjo nuk më ka thënë ende asgjë. Megjithatë, klauzola e tij për prishjen e kontratës është 16 milionë euro”. Ndërsa shton se është parashikuar një takim me Florentino Perez në fillimin e javës së ardhshme. Sipas shtypit sportiv, Mourinjo dëshiron të marrë me vete nga Interi mbi të gjitha Maikonin për 20-25 milionë euro, thotë ‘AS’ dhe Militon, ndërkohë që mendon edhe për Daniele De Rosin ose Stiven Xherrard. “Marca” shkruan, se romanisti që dje është “shumë pranë Realit për shkak të borxheve të Romës” dhe se klubi “blancos” mund të përfshijë në tratativa holandezin Van Der Vart. Por ka edhe nga ata që paralajmërojnë për një problem të mundshëm të Murinjos te Reali për shkak të imazhit “difensivist” të portugezit në kontrast me lojën sulmuese dhe argëtuese të modelit Barça, të cilën spanjollët e adhurojnë. Madrileni La Razon e përkufizon ndeshjen e të shtunës “pa shkëlqim”. “Interi qëndroi mbyllur në mesfushën e tij, Julio Sesar shpëtonte portën me pritjet e tij, ndërsa loja në kundërsulm ishte shumë e mirë falë Militos dhe golave të tij. Pas lojës së demonstruar nga Interi në Barcelonë dhe në Bernabeu, të shikojmë se çfarë e ardhmeje na pret”, shkuan gazeta.
#