Në Le Mans triumfon Lorenco, Valentino Rosi mundet sërish
Tani situata fillon të bëhet serioze. Horge Lorenco ka mundur sërish dhe në një mënyrë demonstrative, madhërinë e tij, Valentino Rosi. çmimi i Madh i Francës, i zhvilluar dje, është ndoshta një moment kyç i këtij sezoni. Nuk ishte parë kurrë që italiani të vuante përballë një kundërshtari, për më tepër një shoku të skuadrës, për dy gara radhazi. Kurrë nuk ka qenë kaq e fortë ndjesia, se Vale nuk mundet të bëjë më shumë për të reaguar. Lorenco është treguar i jashtëzakonshëm. Ka bërë një garë të kujdesshme dhe triumfuese, ka parakaluar në xhiron e 17 para fundit Rosin dhe është shkëputur në mënyrë progresive. Një fitore “alla” Rosi, por e firmosur nga Lorenco. Një fitore neto, e cila vjen pikërisht kur (është paradoksale, por këtë vit ndodh kështu, të gjithë pilotët e mëdhenj janë në skadencë kontrate) tashmë flitet për rinovimet e kontratave. Tani në shtëpinë e Yamahas nuk do të jetë aq e lehtë të zgjedhin mes dy pilotëve. Dhe, duke lënë mënjanë kontratat, bëhet fjalë edhe për një hakmarrje triumfuese nga ana e Lorencos. Spanjolli po e lufton ashpër Valentinon pikërisht, kur i është vënë shumë theks faktit, se nuk mundet të kontrollojë më telemetrinë e italianit. Sinjale të vogla, por të rëndësishme. Tani është e domosdoshme, që Rosi të reagojë sa më shpejt që të jetë e mundur: përballë një kundërshtari kaq të vështirë, nuk ka ç’bën tjetër vetëm se të gjejë motivimin maksimal. Po sfida është sigurisht më e vështirë se ajo e 2009, sepse Horge, në vitin e tretë në MotoGP, tashmë duket vërtet një kockë e fortë, e përbërë nga një përzierje mikse prej talenti, urie dhe eksperience. Një vend të tretë të mirë ka marrë Andrea Doviciozo para Hajdenit dhe Pedrozës. Kejsi Stoner është rrëzuar (probleme për Dukatin, nëse Kejsi rrëzohen në dy nga tri garat). Por në fund gjithçka vërtitet rreth duelit mes pilotëve të Yamahas, tashmë të shkëputur 9 pikë në klasifikim, ku Horge kryeson. Rosi ka shpjeguar se dhimbjet e shpatullës nuk kanë qenë një faktor vendimtar, por nuk ka funksionuar aseti i motorit. Kjo e bën interesante pritjen për garën e ardhshme, në shtëpinë e 9 herë kampionit të botës, Muxhelo, para tifozëve të tij.
#