E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lapraka "shtohet" me 220 rrape

Segmenti rrugor nga Lapraka deri te kthesa e Kamzës po "vishet" me pemë dekorative. 220 pemë të llojit rrap kanë nisur të mbillen nga të dyja anët e kësaj rruge, e cila është mjaft e rrahur nga trafiku e për rrjedhim me një cilësi ajri jo të mirë. Pemët dekorative përgjatë këtij aksi rrugor po mbillen nga Ndërmarrja e Punëtorëve Nr.1 e kryeqytetit, në vijim të punës për gjelbërimin e Tiranës, projekt ky që mban emrin "një qytetar-një pemë". Janë rreth 3000 pemë dekorative të llojeve të ndryshme, si rrape, bli aromatik, gështenja, manolia, shkurre dekorative që do të mbillen në bulevardet kryesore të qytetit, gjatë periudhës dhjetor 2008-janar 2009. "Bashkia e Tiranës, në kuadër të përmbushjes së objektivave për përmirësimin e cilësisë së mjedisit në Tiranë, ka planifikuar gjelbërimin e disa akseve kryesore të Tiranës dhe shtimin e hapësirave të gjelbra në qytet, duke e konsideruar si synim kryesor, rritjen në mënyrë të ndjeshme të përmasës së gjelbër", shprehen përfaqësuesit zyrtarë të pushtetit vendor në Tiranë. Ndërsa vetë kryebashkiaku Rama i pranishëm në aksionin e djeshëm të mbjelljes së pemëve në zonën e Laprakës tha se: "Muaji i gjelbërimit vazhdon intensivisht, me mbjellje pemësh në të gjitha akset ku ato mungojnë, siç është ky aks hyrës në Tiranë dhe përfitoj nga rasti t‘u shpreh mirënjohjen time, atyre sipërmarrjeve që i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes sonë, për t‘iu bashkuar nismës "Një qytetar-një pemë", duke kontribuar për të shtuar sasinë e pemëve që ne do të mbjellim gjatë këtij sezoni dhe njëkohësisht përsëris thirrjen time që, sa më shumë pemë do të mbjellim sot, aq më i mirë do të jetë qyteti që do t‘u lëmë fëmijëve nesër". Pas mbjelljes së 150 pemëve të llojit rrap përgjatë bulevardit "Zhan D‘Ark; mbjelljes së 100 pemëve përgjatë bulevardit "Bajram Curri", si dhe gjelbërimit të disa akseve të tjera të rëndësishme të qytetit si rruga "Qemal Stafa" me 238 rrape, Rruga e Barrikadave me 148 gështenja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›