E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: LSI, garanci e qeverisjes së qëndrueshme

Lideri i Lëvizjes Socialiste
për Integrim, Ilir Meta,
zhvilloi dje një takim me
qindra anëtarë dhe simpatizantë
të LSI-së në minibashkinë
nr.6 në kryeqytet. Gjatë
fjalës së tij përshëndetëse, Meta,
duke u ndalur në zhvillimet e
fundit të politikës, nënvizoi se,-
është koha që të ndëshkohet ky
teatër i shëmtuar politik i bashkëpunimeve
të paprincipta mes
lidershipit të PS dhe PD, me votë,
por njëkohësisht, edhe përmes
afirmimit të një programi shumë
të qartë dhe shumë konkret
ekonomik dhe social. "Ne jemi të
bindur që këtë gjë do të realizojmë
më së miri në të gjitha drejtimet,
sepse zgjidhja e kësaj krize
të thellë politike, institucionale,
kushtetuese, do të vijë nga LSI
dhe nga ajo alternativë, e cila
tashmë është afirmuar në krah
të LSI-së dhe e cila është në sinkron
të plotë me shumicën e
qytetarëve shqiptarë", u shpreh
kreu i LSI-së. Prandaj, tha Meta,
objektivi ynë për të fituar në
zgjedhjet e vitit 2009 nuk është
një dëshirë. "Është një detyrë.
Një detyrë përpara vendit që
kërkon një zgjidhje", ngulmoi ai.
Duke kërkuar besimin e qytetarëve,
Meta u shpreh se, "ne do të
kemi gjithnjë në qendër të vëmendjes
punën me njerëzit". Ne
sfidën tonë, tha ai duke ju drejtuar
të pranishmëve në takim, e
kemi me të gjithë ju dhe me të
gjithë shqiptarët kudo ku janë.
"Ne, vetëm, duke folur hapur, si
po e bëjmë edhe sot, e në ditët e
ardhshme më konkretisht, për
problemet që ju keni, pa dyshim
që këtë konsensus që ekziston
ne do ta unifikojmë, do ta materializojmë
dhe do ta shndërrojmë nga një simpati, dhe nga
një shpresë në besim dhe në një
ortek suksesi dhe fitoren e
zgjedhjeve në vitin 2009", nënvizoi
Meta. Duke u ndalur në
zgjedhjet e ardhshme, Meta u
shpreh i bindur se LSI do të jetë
garancia e një qeverisjeje progresiste,
pas vitit 2009, pas
zgjedhjeve të qershorit. "Dhe,
nuk do të jemi thjesht një garanci
përmes numrave në qeveri, në
Parlament, e kështu me radhë,
por do të jemi garanci reale dhe
morale e një ndryshimi të madh
që do të ndodhë në Shqipëri", tha
Meta. Analisti Artur Zheji, u
shpreh se "përgjigjja e pyetjes
pse ekziston LSI-ja është që ne,
duam të jemi të lirë, duam të jemi
të lirë të ndërtojmë një jetë të
shëndetshme, morale, të familjes
e të jetës sonë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›