Laprakë, nis prishja e ndërtimeve pa leje
Inspektorati Ndërtimor në Tiranë ka nisur prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën 45, ose zona e Laprakës, që ndodhet në pjesën veriore të qytetit të Tiranës dhe që i përket njësisë bashkiake nr. 11.
Bashkia e Tiranës ka nisur projektin për rikualifikimin e zonës, prandaj dhe Inspektorati Ndërtimor po prish ndërtimet pa leje që pengojnë vijimin e punimeve.
Burime nga Inspektorati Ndërtimor thanë se "prishja e ndërtimeve pa leje bëhet në kuadër të projektit të rehabilitimit të Laprakës, që synon zgjerimin e rrugëve kryesore: "Lord Bajron", "Gjergj Legisi", "Vangjel Noti", "Pandi Dardha" etj.".
Projekti për rehabilitimin e zonës së Laprakës është financuar nga qeveria italiane përmes Kooperacionit Italian, me vlerë prej 3 milionë eurosh.
Me gjithë problemet e shumta në këtë zonë, që është tërësisht informale, Lapraka mbetet njësia ku janë marrë më shumë vendime për shembje. Deri tani, nga 320 vendime për prishjen e ndërtimeve pa leje, janë ekzekutuar 245 të tilla.