E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot miratohet lista e barnave me rimbursim

Mbledhja

Më në fund, sot pritet të miratohet përfundimisht dhe zyrtarisht lista e barnave me rimbursim. Kategoritë që do të përfitojnë do të jenë mosha e tretë, pacientët kronikë, si dhe të sëmurët që vuajnë nga diagnoza specifike dhe trajtimi i tyre me medikamente realizohet në bazë të buxhetit të shtetit akorduar shëndetësisë për barna. Konkretisht, sot, Këshilli i Ministrave do të miratojë listën e plotë të barnave të propozuar nga Komisioni i Hartimit dhe Rishikimit të Listës së Barnave me Rimbursim dhe aprovuar edhe nga Ministria e Financave. Kjo listë duhet të ishte miratuar që javën e kaluar në qeveri, por aprovimi u shty për shqyrtim për javën e ardhshme, sot.

Ndryshe nga vitet e tjera kur lista e barnave me rimbursim ka hyrë në fuqi pas muajit prill, pas problemit të grosistëve, krijuar nga rritja e çmimit të euros në tregun e valutës, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, vendosi që në bashkëpunim me aktorët e tjerë të propozonin dhe të miratonin listën e re të barnave në fillim të vitit 2010. Për shkak të kthimit mbrapsht nga Financat, si pasojë e uljes së çmimit të faturës, kjo listë u vonua për më shumë se një muaj e gjysmë.
Sakaq, Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar se sot Këshilli i Ministrave do të miratojë përfundimisht listën e re të barnave me rimbursim për 2010-n, e cila do të hyjë në fuqi menjëherë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›