Largohen nga Burgu 302 edhe 30 të dënuar për në Peqin

11/03/2005 Vazhdojnë transferimet nga Burgu 302. Drejt Peqinit, burgut të sigurisë së lartë, janë nisur nga Burgu 302, 30 të dënuar. Që të gjithë kanë mbi shpinë nga një masë dënimi të rëndë, e cila është dhënë pas kryerjeve të veprave penale. Kështu masa e dënimit për secilin nga të dënuarit e transferuar në Peqin, është nga 20 deri 25 vite heqje lirie. Dy ditë më parë makinat e togës së shoqërimit kanë dërguar në Peqin me urdhër të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, grupin e tretë të të dënuarve. Gjashtë të dënuar nga ky burg u dërguan në drejtim të Burrelit, 20 janë dërguar në datën 25 shkurt në Peqin dhe grupi i tretë i përbërë nga 30 të dënuar është siguruar para dy ditësh. Në Burgun 302 vazhdojnë të qëndrojnë ende pa lëvizur edhe tre nga "vipat", Jaho Mulosmani, Sokol Koçiu e Frederik Durda. Pritet që së shpejti edhe këta të dënuar të largohen nga burgu në kryeqytet. Mësohet se, Durda ka kërkuar të mos transferohet, pasi ka shfaqur shqetësime nga shëndeti. I pari që la Burgun e Sigurisë së Lartë 302 është i dënuari me burgim të përjetshëm, Gazmend Braka, ose Gaxhai, i thirrur ndryshe. Vendimi për të larguar të gjithë të dënuarit "vip" nga Burgu 302, u mor nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Hapja e kanalit në këtë burg ishte një shtysë. Gaxhai u transferua për në Burrel në të njëjtin burg ku, aktualisht, është duke vuajtur të njëjtin dënim me burgim të përjetshëm edhe Zani Çaushi. Nga ana e Ministrisë së Drejtësisë është bërë plani që, Burgu 302 të kthehet në paraburgim. Kjo do t'i shërbejë më mirë punës me Gjykatën e Krimeve të Rënda. Deri tani Krimet e Rënda kanë patur vështirësi në vazhdimësinë e proceseve gjyqësore. Duke qenë se Krimet e Rënda gjykojnë të gjithë të pandehurit që kryejnë vepra të tilla në Republikën e Shqipërisë, shoqërimi i tyre është bërë shumë i vështirë.