E Diel, 1 Nëntor 2026

Largohet nga puna mësuesja e pa dëshiruar nga gjimnazistët në Korçë

Drejtoria Arsimore largon mësuesen, pushon revolta e nxënësve, rifillon mësimi. Protesta e nxënësve të shkollës së mesme Raqi Qirinxhi ka detyruar drejtuesit e arsimit në juglindje, të marrin masa ekstreme për të larguar nga puna mësuesen e padëshiruar. Nga mëngjesi i të martës mësuesja e filozofisë Violeta Tici nuk është më pjesë e stafit të mësuesve të shkollës më me emër në qytetin e Korçës. Vendimi për largimin e saj të menjëhershëm nga puna pas afro

një muaji në këtë shkollë, ka ardhur nga Drejtoria Arsimore, pas ankesave të nxënësve por dhe të shqetësimit që ka përcjellë për situatën drejtoria e shkollës. Bojkoti dy ditor i mësimit të rreth 650 nxënësve të kësaj shkolle ka ardhur për shkak të mësueses Violeta Tici e cila ka pasur probleme në metodat mësimdhënëse por dhe në vlerësimin e dijes me nota tejet të ulëta. Pas kontrollit të ushtruar nga një grup i posaçëm specialistësh i Drejtorisë Arsimorë Korçë ka vijuar dhe vendimi për largimin e mësueses e cila pritet të emërohet brenda këtyre ditëve në një tjetër shkollë të juglindjes. Në një prononcim të tij për gazetën drejtori i shkollës Vladimir Prifti ka treguar se gjatë të martës situata është normalizuar dhe ka filluar procesi i mësim. Pas vendimit të Drejtorisë Arsimore për largimin nga puna të Ticit, nxënësit i janë kthyer menjëherë procesit mësimor. Ne si drejtori kemi marrë të parët sinjalin nga prindërit dhe mandej nga vetë nxënësit. Ajo që kemi zbuluar më pas është fakti se mësuesja ka shkelur të drejtat e nxënësve duke i trajtuar ata shumë keq gjatë orës së mësimit. Gjatë kontrollit të dijeve kemi zbuluar se mësuesja në fjalë ngrinte në dërrasë një grup të madh nxënësish dhe me metoda aspak të pranueshme i vlerësonte ata negativisht, ka treguar në prononcimimin e tij drejtori Prifti.I. Frasheri

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›