E Diel, 1 Nëntor 2026

Larja e rrugëve, kompanitë private nuk zbatojnë kontratën me Bashkinë e Tiranës



Emanuela Sako
Kompanitë private që kanë lidhur kontratë me Bashkinë e Tiranës për pastrimin dhe larjen e rrugëve nuk zbatojnë kontratën. Rrugët e kryeqytetit janë përfshirë nga pluhuri dhe i nxehti përvëlues i këtyre ditëve, ndërsa larja e tyre nuk është bërë ashtu siç është parashikur në kontratë. Sipas kontratës, 6 kompanitë private që veprojnë në zona të ndryshme të kryeqytetit, duhet të lajnë dy herë në ditë rrugët. Madje, në ditët e nxehta të verës është vendosur që larja e rrugve të bëhet më shumë se dy herë për të shmangur vapën e madhe dhe t’iu lehtësojë qytetarëve lëvizjen dhe frymëmarrjen në qytet. Po të vëzhgosh qytetin në çdo orë të ditës dhe natës, është e vështirë të shohësh automjetet e kompanive që të bëjnë spërkatjen e rrugëve me ujë. Madje, do të ishte kënaqësi e veçantë po t’i shihje që larja të bëhej një herë në ditë. Ndryshe nga çfarë është parashikuar, larja bëhet të paktën një herë në ditë. Ndërkohë që, qytetarët presin që të freskohën dhe të largohen tymrat nga trotuaret. Mungesa e larjes së rrugëve, bën që freskia të mos ndihet në asnjë rrugë të kryeqytetit dhe qytetarët të drobiten nga të nxehtët e madh.
Larja
Kontrata parashikon që rrugët të lahen më shumë se dy herë në ditë për të lehtësuar jetën e qytetarëve në metropol, si dhe për të shmangur pluhurat dhe vapën e madhe. Qytetarët janë të detyruar që të përdorin vetë medota për të shmangur problemet e pastërtisë dhe të nxehtit. Të gjithë ata qytetarë që jetojnë apo ushtrojnë një aktivitet në katet e para të pallateve, bëjnë larjen e trotuarit dhe rrugës përballë ndërtesës së tyre. Ata zbrazin kovat me ujë në çdo pjesë të trotuarit, që duket se u “përket” atyre dhe e ndiejnë detyrë që ta mirëmbajnë. Njëkohësisht, kjo ndodh, pasi janë të detyruar që të mirmbajnë biznesin e tyre brenda standardeve të higjienës dhe për thithjen e klientelës.
Shërbimet
Firmat kontraktuese duhet të kryejnë disa shërbime për mirëmbajtjen dhe pastrimin e kryeqytetit. Parashikohet, që të gjashta firmat duhet të bëjnë grumbullimin dhe transportimin e mbetjeve urbane dhe të tregjeve. Njëkohësisht, parashikohet fshirja dhe larja speciale e rrugëve dhe trotuareve, pastrimi i territoreve urbane me punëtorë dhe fshesë, larje dhe dezifektim i kontenierëve, si dhe grumbullimi dhe transportimi i mbetjeve inerte dhe të vëllimshme në zonat e përcaktuara. Po kështu, firmat kanë detyrë për mirëmbajtjen e vendgrumbullimeve të mbetjeve gjatë ditës, si dhe mirëmbajtjen e rrugëve kryesore të kryeqytetit. Mbledhja e inerteve, apo mbeturinave të vëllimshme është një tjetër shërbim, që realizohet, ku pastrohen në të gjitha hapësirat publike, mbetje të dala si rezultat i rikonstruksionit të banesave të qytetarëve, apo orendi shtëpiake të vjetra, që depozitohen në mënyrë të pandërgjegjshme, si pranë kontenierëve, ashtu dhe në hapësirat publike. Bashkia e Tiranës, realizon pothuajse çdo javë në bashkëpunim me firmat e pastrimit, zbatimin e një pike në kontratat e nënshkruara, edukimin ambiental në komunitete dhe në shkolla. Ndërgjegjësim i komunitetit mbi rëndësinë e respektimit të mjedisit dhe depozitimin e mbetjeve në vendet e përcaktuara për këtë qëllim.

Shërbimet që mbulojnë firmat private kontraktuese:

Grumbullim dhe transportim i mbetjeve urbane dhe tregjeve
Fshirje dhe larje e rrugeve dhe trotuareve
Larje speciale e rrugëve
Pastrim i territoreve urbane me punëtorë dhe fshesë
Larje dhe dezifektim i kontenierëve
Grumbullim dhe transportim i mbetjeve inerte dhe të vëllimshme
Mirembajtje e vend grumbullimeve te mbetjeve gjate ditës
Mirëmbajtje e rrugëve kryesore

Ndërmarrja bashkiake e pastrimit mbulon disa zëra shërbim- pastrimi si më poshtë:

Shërbimin e fshirjes së rrugëve, trotuareve dhe blloqeve të banimit, të cilat nuk përfshihen në kontratat me kompanitë private të pastrimit.
Pastrimin e tregjeve.
Evadimin e mbetjeve inerte voluminoze.
Largimin e karkasave dhe mbetjeve skeletike.
Mbledhjen me dorë të mbeturinave në territoret e banimit apo akse rrugore

11 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›