E Diel, 1 Nëntor 2026

Lasgush Poradeci, vepra e plotë përurohet sot në qytetin e lindjes

Në qytetin e Pogradecit sot do të bëhet përurimi i veprës së plotë të poetit të madh Lasgush Poradeci, një financim i plotë i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ky aktivitet do të zhvillohet në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit të Pogradecit, ku i pranishëm do të jetë edhe ministri i TKRS-së z.Ferdinand Xhaferraj. Në fakt, libri ka filluar që në vitin 2009,

një kohë që përkoi me "Vitin e Lasgush Poradecit" në 110- vjetorin e tij të lindjes. Libri u botua nga shtëpia botuese "AlbPaper", ndërkohë që libri është në qarkullim për publikun, sipas dy botimeve të hershme të Bukureshtit në vitet '30. Botimi është i përgatitur nga vajzat e autorit Kostandina dhe Maria Gusho, ku dhe ka një parathënie të vetë autorit. Sipas familjarëve të tij, kemi një variant besnik të poezisë së autorit, sepse i referohet botimeve të dy librave që u bënë në Bukuresht në gjysmën e parë të shekullit XX dhe ç'është më e rëndësishmja, për botimin aktual janë mbajtur parasysh shënimet dhe korrigjimet që Poradeci ka bërë në anë të faqeve. Ky botim i fundit përmban shpjegime të fjalëve në fund të poezive që ka bërë vetë poeti. "Vallja e yjve" ku bëjnë pjesë "Në vend parafjale", "Vallja e qjellit", "Vallja e dherit", "Vallja e yjve", "Vallja e përjetësisë", "Vallja e vdekjes" etj., u botua nën kujdesin e Mitrush Kutelit në vjeshtë 1933 në Bukuresht. Llazar Sotir Gusho i njohur nën pseudonimin Lasgush Poradeci, lindi më 27 dhjetor të vitit 1899 në Pogradec, Shqipëri dhe vdiq më 12 nëntor të vitit 1987, poet dhe shkrimtar shqiptar. Mbas mbarimit të shkollës fillore në Pogradec, i ati i Lasgushit që ishte patriot dhe arsimdashës e dërgoi në moshën 9-vjeçare për të vazhduar studimet në Liceun Rumun të Manastirit (Bitola). Në dallim nga poetët e Rilindjes, që me gjithë origjinalitetin e tyre kishin tipare të përbashkëta, poetët e shquar të periudhës së Pavarësisë Noli, Fishta, Poradeci, Migjeni, janë krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri si nga formimi, nga prirja e tyre, ashtu edhe nga interesat e synimet. Lasgush Poradeci e jetoi Rilindjen në periudhën e shpërthimit të kryengritjeve të mëdha për liri. Në veprën e këtij romantiku të fundit të letërsisë sonë jetoi shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së kombit dhe të traditës së Rilindjes, ashtu sikurse edhe dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare. Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për sensibilitetin dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë.

Last Updated on E Enjte, 08 Prill 2010 18:51

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›