E Diel, 1 Nëntor 2026

Laska: “Zyrtarë të lartë mashtruan me deklarimin e pasurisë”

Intervista/ Kryetarja e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive pohon evidentimin e rasteve të fshehjes së pasurive dhe plotësimit të deklaratave të rreme nga ana e zyrtarëve shqiptarë
Shaban Sulçe

Një numër jo i vogël zyrtarësh shqiptarë rezultojnë të jenë paditur në Prokurori, pasi kanë tentuar të fshehin pasurinë e tyre duke depozituar deklarata të rreme pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive. Një fakt i tillë është bërë e ditur nga kryetarja e këtij Fatmira Laska, e cila, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Albania”, ka deklaruar evidentimin e rasteve në fjalë. “Kemi evidentuar disa raste kur burimi i krijimit nuk mbulonte vlerën e aseteve dhe kur zyrtarë nuk kanë treguar vërtetësi në vetëdeklarim, duke arritur pasuri/interesa private nga ana jonë. Këto raste, të cilat janë bërë edhe publike kohë pas kohe, janë dërguar edhe për procedim penal organit të Prokurorisë”, - tha Laska. Kryetarja e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive theksoi gjithashtu se institucioni që drejton ka nënshkruar dy memorandume bashkëpunimi, për të krijuar mundësinë e investigimit të pasurive të zyrtarëve shqiptarë edhe përtej kufijve.

Zonja Laska, si do ta konsideronit faktin që ILDKP-ja që ju drejtoni u përzgjodh nga Ambasada Amerikane për t’i ofruar eksperiencë institucionit homolog ukrainas?
Inspektorati i Lartë realisht është një institucion i ri në Shqipëri. Por impenjimi maksimal i stafit dhe arritjet e deritanishme kanë ndikuar në ndërgjegjësimin e zyrtarëve se zbatimi korrekt dhe në afat i kërkesave ligjore është një detyrim që në radhë të parë u shërben vetë subjekteve. Pikërisht ky seriozitet është vlerësuar edhe nga organizma ndërkombëtarë ose nga homologë të huaj në takime që kemi kryer në kohë të ndryshme. Vlen të përmendim faktin që Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), e cila është ofruar në ndihmesë të institucionit që në fillimet e tij, duke vlerësuar performancën tonë në këto katër vite, ka shprehur dëshirën për të vazhduar më tej projektet e saj me ILDKP-në, si një ndër agjencitë kryesore antikorrupsion, në Shqipëri. Po ashtu, edhe Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Europian në Shqipëri, duke vlerësuar impenjimin e Inspektoratit të Lartë, ka mbështetur një seri trajnimesh për zbatimin e ligjit “Mbi konfliktin e interesave” në nivelin e pushtetit lokal, të organizuar nga ILDKP (me lektorë punonjës të Inspektoratit të Lartë. Në disa prej këtyre trajnimeve është bashkëpunuar edhe me Institutin e Trajnimit të Administratës Publike (ITAP).
Rasti i dhënies nga ana jonë e eksperiencës për ekspertët nga Ukraina është vazhdë e këtij vlerësimi. Fillimisht, unë, në cilësinë e inspektores së Përgjithshme, isha e ftuar në Kiev, në hapjen e diskutimit për hartimin e një projekt-ligji antikorrupsion në Ukrainë.
Gjithçka e prezantuar nga ana jonë ngjalli interes tek organizatorët e takimit, të cilët shprehën dëshirën të shihnin sa më shpejt nga afër procesin e punës në ILDKP. Në fillim të këtij muaji (në datat 3-7 dhjetor), 14 ekspertë, përfaqësues të institucioneve të ndryshme të Ukrainës, ndoqën procesin e punës në Inspektorat, të raportuar nga të gjithë sektorët e institucionit tonë; që nga pranimi dhe regjistrimi i deklaratave, deri tek hetimi administrativ e hartimi i raportit përfundimtar për kontrollin e subjekteve që mbartin detyrim për deklarim të interesave private. Arritjet e kësaj vizite studimore, do të më lejoni, t’i shpreh bazuar në vlerësimin e bërë nga z. Robert P. Storch, këshilltar Ligjor Rezident, Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve, Zyra e OPDAT (Zyra e Zhvillimit, Asistencës dhe Trajnimit për Prokuroritë Jashtë), në Kiev, Ukrainë: “Patëm diskutime të shkëlqyera me ILDKP mbi një gamë të gjerë pyetjesh dhe do të marrim me vete shumë ide të dobishme për shkëmbimet dhe vizitën tonë në Shqipëri për përpjekjet tona në Ukrainë”.
Cilat do të përkufizonit si arritjet më të rëndësishme të këtij institucioni, që nga koha e krijimit të tij?
Është disi e vështirë të përmblidhen në një përgjigje, gjithsesi, do të mundohem të jem sa më koncize. Së pari, ajo që do të vlerësoja si arritje të rëndësishme është pikërisht krijimi dhe funksionimi i plotë i institucionit. Në fillimet e zbatimit të ligjit “Mbi deklarimin e pasurive”, shumëkush është treguar skeptik për ecurinë e këtij procesi. Por sot, kur kanë kaluar 4 vjet, inspektorët e ILDKP-së dhe stafin mbështetës me impenjimin dhe seriozitetin maksimal të treguar, ka dëshmuar se vullneti i ligjvënësit për të ndërtuar një strukturë të tillë, është mirëmenaxhuar dhe i është arritur qëllimit. Faktet flasin vetë; të gjithë jemi dëshmitarë se, nga viti në vit, numri i subjekteve që vonohen në zbatimin e afateve ligjore për të përmbushur detyrimin për deklarim, sa vjen e zvogëlohet (pjesa më e madhe e zyrtarëve që tejkaluan afatin e vetëdeklarimit këtë vit ishte nga kategoria e drejtuesve të pushtetit vendor që u larguan nga detyra pas zgjedhjeve lokale të Shkurtit 2007). Një tjetër arritje e rëndësishme mund të vlerësohet ndërgjegjësimi i zyrtarëve se detyrimi për hetim administrativ ndaj të dhënave të vetëdeklaruara është i unifikuar për të gjithë dhe kryet sipas kërkesave të përcaktuara në ligj. Po ashtu, një arritje e rëndësishme është edhe niveli i lartë i transparencës që prezanton Inspektorati. Jo vetëm media, por edhe publiku i gjerë e ka ndjerë veten të pranishëm në realizimin e kësaj transparence dhe në shenjë besimi ka ofruar dhe respektuar raporte, të cilat kontribuojnë në zbulimin e rasteve të fshehjes së pasurisë apo të konfliktit të interesave.
Do të dëshironim një shpjegim të një pjese shumë të rëndësishme të procesit të hetimit të pasurive. Si kryhet verifikimi i vërtetësisë së deklaratës, pas dorëzimit të saj nga zyrtarët?
Me realizimin e pranimit të dokumentit zyrtar “deklaratë e interesave private” çdo deklarim skanohet dhe kalohet për kontroll paraprak aritmetik e logjik. Që në hedhjen e të dhënave në fletën e kontrollit aritmetik e logjik, realizohet rakordimi për justifikimin ose jo të vlerës së pasurisë së krijuar në raport me të ardhurat e përfituara për periudhën njëvjeçare, si edhe në raport me detyrimet e ndryshme financiare, nëse ato ekzistojnë. Njëkohësisht, që në kontrollin aritmetik e logjik, mbi bazën e të ardhurave që vetëdeklarohen, inspektorët e ndihmësinspektorët e lartë janë në gjendje e njëkohësisht të detyruar të evidentojnë ekzistencën ose jo të konfliktit të interesave në varësi të funksionit që zyrtari kryen. Gjithmonë në bazë të dispozitave ligjore dhe funksionit përkatës që përfaqësohet nga secili zyrtar, të ardhurat e konstatuara që vijnë nga konflikti i interesit për një kategori funksionesh ligjvënësi i parashikon dhe i kufizon edhe te familjarët e zyrtarit. Për përcaktimet ligjore të shprehura në ligj, me ose pa probleme, shumë funksione kalojnë në kontroll të plotë. Në dosjen e secilit prej tyre administrohet çdo veprim për procesin e hetimit administrative. Konkretisht, nga inspektorët u dërgohet një shkresë zyrtare të gjitha bankave të nivelit të dytë që funksionojnë në vendin tonë (rreth 20), zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme (Hipotekës), zyrës së Tatim-Taksave, regjistrit tregtar gjyqësor, Agjencisë Kombëtare të Privatizimit, Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit të Parave, Agjencisë të Trajtimit të Kredive, Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor e të gjitha institucioneve të tjera të regjistrimit të pronave. Aspak me qëndrim dyshues ndaj deklaruese të pasurisë, por thjesht duke zbatuar një kërkesë ligjore. Me mbërritjen e përgjigjeve, inspektorët verifikojnë të dhënat e deklaruara nga zyrtarët me të dhënat e përcjella nga korrespondenca me institucionet e regjistrit publik.
Në rastet kur të dhënat e ofruara nga institucionet me të cilat bashkëpunojmë dhe kërkojmë dokumentacion nuk rakordojnë me ato të deklaruara në formular, Inspektorati së pari, realizon ballafaqimin e të dhënave me zyrtarin, i cili është i detyruar të japë shpjegimet e rastit. Vetëm pas mbylljes së kësaj procedure dhe kur zyrtari nuk ka prova për të provuar të kundërtën e të dhënave të administruara në dosje, edhe kur këto probleme nuk përbëjnë rast të konsumimit të elementëve të ndonjë vepre penale, Inspektori i Përgjithshëm është i detyruar të njoftojë titullarin epror.
Në varësi të shkeljes, kjo masë mund të jetë administrative deri në largim nga puna.
Në rast se shifrat e deklaruara nga zyrtari korrespondojnë me të dhënat që marrin inspektorët nga institucionet e tjera, atëherë dosja quhet “e mbyllur për deri ditën e dorëzimit të raportit”. E theksoj këtë shprehje që lidhje me afatin “për deri m녔. sepse, në çdo rast e në çdo kohë, që pas mbylljes së këtij raporti pranë Inspektoratit të Lartë ofrohet një e dhënë që ka të bëjë me interesat private të të njëjtit zyrtar, rifillon verifikimi administrativ. Pra, gjithçka është proces dhe për rrjedhojë nuk mund të konsiderojmë asnjë raport përfundimtar; çdo raport është i përkohshëm.

A i ka kapacitetet e mjaftueshme ILDKP-ja për të investiguar dhe verifikuar vërtetësinë e deklaratave të dorëzuara nga zyrtarët shqiptarë?
Me eksperiencën e krijuar tashmë, stafi i Inspektoratit të Lartë i ka aftësitë profesionale për hetimin e plotë administrativ të pasurisë së subjekteve. Ajo çfarë vlerësohet si e domosdoshme për të rritur efikasitetin e institucionit, siç është përmendur edhe në Raport-Progresin e Shqipërisë për 2007, është forcimi i kapaciteteve investiguese. Stafi i ILDKP-së ka bërë përpjekje në këtë drejtim dhe njëkohësisht po studion që, me kapacitetet e tij njerëzore, si edhe me një bashkëpunim më të sensibilizuar të institucioneve të specializuara e me një aktivizim të ekspertëve të fushave të ndryshme, të realizojë këtë rekomandim.
A keni zbuluar gjatë këtyre viteve deklarata të rreme të zyrtarëve që përfshihen në detyrimin ligjor për deklarimin e pasurive?
Po, kemi evidentuar disa raste kur burimi i krijimit nuk mbulonte vlerën e aseteve dhe kur zyrtarë nuk kanë treguar vërtetësi në vetëdeklarim, duke arritur pasuri/interesa private nga ana jonë. Këto raste, të cilat janë bërë edhe publike kohë pas kohe, janë dërguar edhe për procedim penal organit të Prokurorisë.
Si është koordinuar veprimtaria e ILKPD-së për hetimin jashtë kufijve të Shqipërisë, për shembull, në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me bankat e huaja?
Inspektorati i Lartë, për të krijuar mundësinë e investigimit edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, ka nënshkruar dy Memorandume Bashkëpunimi; me Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Këto dy institucione kanë legjitimitetin, por edhe kapacitetet që të lidhin marrëveshje ndërkombëtare për hetimin dhe investigimin e llogarive bankare. Kur kemi pasur të dhëna rreth depozitave që na kanë krijuar dyshime, nëpërmjet këtyre dy institucione kemi kërkuar hetime të mëtejshme jashtë vendit. Duhet të themi se Inspektorati mund të ketë efikasitet të plotë me bashkëpunimin e të gjithë institucioneve e specializuara, pjesë përbërëse e institucioneve publike, të cilët kanë një qëllim të përbashkët dhe nuk mund të kërkohet gjithçka vetëm nga ILDKP-ja. Tek ne duhet të vazhdojë kërkesa për bashkëpunim, me qëllimin e mirë në drejtim të zbulimit të rasteve të fshehjes së pasurisë, e vënë ajo në rrugë korruptive.
Pyetja e mëparshme mori shkas nisur nga fakti që të gjithë politikanët dhe pushtetarët rezultojnë me borxhe dhe me pasuri modeste në deklaratat që kanë plotësuar. Ju si do ta komentonit këtë fakt?
Si qytetare e thjeshtë do të isha më e lirshme në dhënien e opinionit personal. Ndërsa në pozicionin e inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP-së mund t’ju them vetëm se, për rastet e dyshimta, ne kemi ndërmarrë hetimin e plotë administrativ bazuar saktësisht në të gjitha kërkesat ligjore. Mbetemi të hapur për të na ofruar nga kushdo të dhëna të tjera përveç atyre që ndodhen të administruara tek ne dhe të ofruara nga institucionet që administrojnë regjistrat publikë. Pra, gjithçka që lidhet me formalitetin institucional. Shpresojmë që pasuritë apo të ardhurat e krijuara, si pasojë e ekzistencës së informalitetit, të vijnë gjithnjë e më shumë drejt minimizimit, gjithmonë kjo në përmirësimin e sistemit në lidhje me regjistrimin e të dhënave në të gjitha hallkat e administratës publike.

20 Dhjetor 2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›