Lavdërim Tufa ndryshon përsëri avokat
17/05/2005 TIRANË – Është shtyrë gati 20 seanca gjyqësore procesi kundër të pandehurit Lavdërim Tufa. Në të gjitha rastet ka qenë vetë i pandehuri dhe avokatët mbrojtës, ata që nuk kanë bërë të mundur zhvillimin e procesit. Lavdërim Tufa, akuzuar për vrasjen e Fatmir Ramës dhe dy personave të tjerë në vendin e quajtur "Kartodromi", kërkoi edhe në seancën e djeshme zëvendësimin e avokatit mbrojtës. Për të disatën herë, i pandehuri ka kërkuar ndryshimin e avokatit mbrojtës. Kështu, dje avokati i përhershëm i tij, Ferdinand Doja, u zëvendësua me avokatin Basri Mani. Ky i fundit nuk mund të vazhdonte procesin pa u njohur më parë me aktet që ndodhen në dosjen penale. Loja me avokatët që po bën Lavdërim Tufa, ka filluar menjëherë pas interpretimit të ekspertizës së ADN-së nga Suzan Pop. Megjithatë në të gjitha rastet i janë pezulluar afatet e paraburgimit. Konkluzionet e interpretimit të ekspertes Suzan Pop, avokati i quajti të pabazuara dhe në kundërshtim me ato të nxjerra nga ekspertët italianë. Për avokatin, para gjykatës duhet të sillen të gjithë ekspertët dhe të bëhet ballafaqim. Por gjithçka u kundërshtua nga prokurori dhe më pas nga gjykata. Suzan Pop ishte e prerë në mendimet e saj, tha akuza dhe ekspertja u thirr si e paanshme nga gjykata. Për të bërë një interpretim të saktë të konkluzioneve, ajo tha se ka patur përpara aktin e ekspertimit të ADN-së së Lavdërim Tufës, bërë në Laboratorin Qendror të Policisë Shkencore Italiane, nga doktor Ronaldo Biondo. Në aktin e tij të ekspertimit, Biondo, ka cilësuar përpuethshmërinë e Tufës në masën mbi 90%. Pra, sipas aktit që ka dalë nga laboratori italian, Lavdërim Tufa mund të konsiderohet si autor i mundshëm i vrasjes së Fatmir Ramës dhe shokëve të tij, në mars të vitit të kaluar në ambientet e "Kartodromit". "Unë në vlerën e ADN-së së përzier që ka dalë nga maska, kam marrë në konsideratë dhe versione të tjera dhe kam parë se individi 1 (që në këtë rast është Lavdërim Tufa), ka kontribuar më shumë në këtë përzierje". Kjo ishte deklarata e parë e ekspertes nga Londra. "ADN-ja e Lavdërim Tufës përputhet me ADN-në e përzierjes së gjetur në hapësirën e maskës së gjetur në vendngjarje. Dua të them se mundësia e përpuethshmërisë së një personi tjetër që nuk ka lidhje me këtë, është 1 bilion.