Vrasja e biznesmenit të makinave luksoze, 15 të shoqëruar

Viktima Ardian Çela njihej si një nga tregtarët që sillte makina luksoze me porosi nga Gjermania për biznesmenë
DURRËS- Policia e Durrësit ka shoqëruar në komisariat me shumë se 15 persona në lidhje me vrasjen e biznesmenit të makinave luksoze, Ardian Çela, dy ditë më parë në fshatin Shënapremte.
Çela njihej si një nga tregtarët kryesorë të makinave luksoze dhe kryesisht porositë i merrte nga biznesmenë të pasur. Kjo është një nga pistat kryesore mbi të cilën po heton policia lokale.
Por vrasja është ende e mbuluar nga misteri pasi ende nuk ka të dhëna për autorët. Hetuesit e çështjes pohuan se ajo është kryer në mënyrë "profesioniste" dhe ekzekutorët kanë zgjedhur me kujdes vendin dhe orën e krimit.
Vrasja
Kanë qenë orët e vona të natës kur një breshëri automatiku është zbrazur mbi Ardian Çelën duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Burimet policore bëjnë me dije se Ardian Çela është qëlluar me armë zjarri tip automatik ndërsa po kthehej për në banesën e tij rreth orës 22 e 45 minuta.
Ekzekutimi mafioz është bërë vetëm pak metra larg portës së banesës, ku babai i dy fëmijëve, Çela, është qëlluar nga persona ende të paidentifikuar.
Pikërisht biznesi i viktimës është edhe pista kryesore e hetimit të policisë. Çela sillte makina shumë të shtrenjta nga Gjermania dhe kryesisht makinat vinin me porosi për biznesmenë të pasur.
Hetuesit mendojnë se gjatë punës së tij Çela mund të jetë njohur me ndonjë "të fortë" dhe kjo lidhje mund t'i ketë kushtuar jetën.
Hetuesit kanë marrë në pyetje dëshmitarët por askush nuk ka dhënë materiale të vlefshme për hetimin.
Ndërkohë, familjarët e tij kanë pohuar në polici se Ardian Çela nuk kishte ndonjë konflikt të hapur. Trupi i viktimës ka qëndruar për rreth një orë në rrugicën e lagjes, derisa policia ka bërë ekspertizën dhe ka marrë shenjat e lëna në vendin e ngjarjes nga autorët. Policia ka kërkuar për gjurmët e makinës së vrasësve por pa rezultate konkrete.
Hetuesit mendojnë se vrasësit i kishin zënë pritë Çelës pranë shtëpisë së tij prej disa orësh dhe prisnin vetëm momentin kur ai do të shfaqej. Pranë vendit ku dyshohet se kishin ngritur pritë vrasësit ndodhen disa shtëpi të banuara dhe për të zbuluar detaje në lidhje me ngjarjen policia ka marrë në pyetje të gjithë njerëzit që jetojnë aty.