E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Zëvendësministri Artan Lame bredh me vulën në xhep,nuk është në nderin e tij të bëjë show politik”

08/06/2005  Pas akuzave të dy ditëve më parë, reagon Hysen Gashi, kryekomunari Rrashbullit

DURRES - Rikthehet në Durrës debatet për çështjen e lejeve të ndërtimit në zonën turistike te Shkëmbi i Kavajës.

Dy ditë më parë ka qenë zëvendësministri i Ministrisë së Turizmit, Artan Lame, ai që ka akuzuar në mënyrë të drejtprdrejtë qeverisjen vendore të komunës Rrashbull për abuzime me leje ndërtimi, duke i klasifikuar vendimet e komisionit të komunës si të paligjshme.

Lame ka thënë se “vetëm nga komuna e Rrashbullit, e cila administron zonën bregdetare te Shkëmbi i Kavajës, janë dhënë 30 leje të tilla në mënyrë të paligjshme”.

Menjëherë pas këtyre deklarimeve, ka reaguar kryetari i komunës së Rrashbullit, Hysen Gashi, i cili ka përgënjeshtruar deklarimet duke thënë se “nuk është në nderin e askuj që të bëjë shou politik për efekt të fushatës elektorale, duke injoruar dhe hedhur baltë mbi punën e pushtetit vendor”.

Më tej Gashi nuk është rezervuar ta cilësojë zëvendësministrin si përgjegjës për shpërndarjen, sipas tij, të vërtetimeve fiktive, duke shfrytëzuar pocizionin shtetëror, ndërkohë që ka mbrojtur të gjitha vendimet e komisionit të komunës, vendime të nënshkruara më pas prej tij.

Gashi e ka akuzuar Lamen se “bredh lart e poshtë me vulën në xhep duke firmosur vërtetime si zëvendësministër i Turizmit, kurse unë vulën e mbaj gjithmonë të kyçur në kasafortë”.

Të gjitha deklarimet e Lames janë cilësuar politike nga Gashi duke i kujtuar se janë qytetarët e kësaj komune, ata që dinë të ndajnë se cilët janë abuzuesit dhe cilët zbatuesit e ligjit. Gashi nuk ka mohuar se gjatë këtij viti në zonën e Shkëmbit të Kavajës janë dhënë 30 leje ndërtimi, por nga ana tjetër krahas shpjegimit të të gjithë procedurave ka kujtuar se vendimet e komunës janë miratuar edhe në KRRTRSH.

“Asnjë nga 30 lejet e ndërtimit nuk janë kundërshtuar nga KRRTRSH-ja”, tha Gashi.

Kryetari i komunës ka shtuar se çështja e Shkëmbit të Kavajës është çështje e cila ka shkaktuar shumë zhurmë, pasi zona për të cilën bëhet fjalë është zonë turistike. Duke i dhënë përgjigje mënyrës së administrimit të fondeve si dhe vjeljes së tyre, Gashi është shprehur se “Komuna e Rrashbullit ka realizuar vitin e kaluar rreth 1 miliard lekë të ardhura dhe me këto para janë në ndërtim e sipër pesë rrugë në fshatrat e komunës në fjalë si dhe një sërë projektesh për kanalizimet e ujërave të zeza dhe të bardha”.

Njëkohësisht me përgënjeshtrimin e akuzave të Lames, Gashi ka deklaruar se “vitin tjetër, investimi që është duke përfunduar në zonën bregdetare të Plazhit të Durrësit, do të vazhdojë edhe në plazhin e Shkëmbit të Kavajës, në bazë të studimit të qeverisë, por me fondet e komunës së Rrashbullit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›