E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shiu përmbyt qindra ha, nxënësit ndërpresin mësimin

08/06/2005  Bllokimi i kanaleve kulluese ka shkaktuar përmbytje të mëdha të tokës bujqësore në disa fshatra të Durrësit. Më e ndjeshme ka qenë situata në Sukth, Vardardhë dhe disa fshatra të tjerë të kësaj zone, të cilat rrezikohen nga përmbytjet sa herë që bien sasi të dendura shiu. Kështu, pas shirave të rëna mbrëmjen e dy ditëve më parë vetëm në Sukth janë përmbytur rreth 50 ha të gjitha të mbjellë me kulturë të stinës. Fermerët kanë fajësuar shtetin për situatën, pasi, sipas tyre, që prej gjashtë viteve nuk është dhënë asnjë fond dhe nuk është vënë dorë për mirëmbajtjen e kanaleve. Në të njëjtën gjendje ka qenë edhe zona në Porto Romano, pasi një pjesë e banesave janë pushtuar nga uji.

Shiu ka nisur të bjerë në orët e pasdites së hënë, ndërsa nuk ka pushuar për 24 orë. Pasojat janë ndier te kulturat bujqësore, por edhe në banesa familjare. Në Fermë Sukth kanë mbetur të izoluar nga uji 170 familje, ndërsa procesi mësimor në shkollën 9-vjeçare dhe atë të mesme është ndërprerë, pasi oborret e shkollës kanë qenë të mbushura plot me ujë. E njëjtë ka qenë edhe gjendja në rrugët e qytetit të Durrësit, si dhe në disa lagje. Krahas mungesës së fondeve për të mbajtur në gjendje funksionale kanalet, banorët e përmbytur kanë ngritur edhe shqetësimin e gërmimit të dheut në ara dhe krijimit të gropave me përmasa të mëdha. Banorët kanë pohuar se të gjitha kanalet përgjatë rrugës kryesore, si dhe ato që kullojnë tokën janë zënë me materiale inerte e mbeturina, ndërsa një pjesë e tyre kanë dalë jashtë funksioni, pasi mbi to janë hapur themelet e banesave të reja. Me të njëjten situatë banorët e këtyre fshatrave kanë vite që përballen pa mundur që të gjejnë dot një zgjidhje që t’i shpëtonte nga dëmet e mëdha ekonomike që shkatohen për shkak përmbytjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›