E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Zjarri në Fushë Krujë i qëllimshëm”

08/06/2005  Kryezjarrfikësi në konferencë shtypi

KRUJË - Shefi i zjarrfikëseve së rajonit të Durrësit, Fatos Shehu, ka dalë dje në një konferencë për median, duke deklaruar se nga konkluzionet paraprake zjarri i rënë në Fushë Krujë, tri ditë më parë, është i qëllimshëm. Ndërsa është shprehur se vazhdojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të rënies së zjarrit të madh në qendër të qytetit, Shehu ka thënë se zjarri është vënë duke përdorur sasi lënde djegëse. Shefi i PMNZSH ka pohuar se gatishmëria e të gjitha mjeteve zjarrfikës ka qenë i shpejtë dhe se ata i janë përgjigjur me të gjitha mjetet, duke kërkuar edhe ndihmë për të kapërcyer situatën. Sipas Shehut, punonjësit kanë mundur të shpëtojnë gjashtë lokale, si dhe kanë evakuar familjarët e rrezikuar.

Por shefi i zjarrfikëseve ka pranuar edhe avashllëkun në komunikim si dhe ndërlidhjen jo efektive. Për këtë arsye janë pezulluar nga puna tre punonjës shërbimi, si dhe është marrë masë disiplinore për shefin e sektorit zjarrfikës në Fushë-Krujë. Megjithatë rastet e shumta të rënies së zjarrit e kanë vënë në gjendje alarmi shërbimin zjarrfikës në Durrës. Ky shërbim ka deklaruar se të gjitha strukturat janë vënë në gatishmëri të plotë, ndërsa 12 automjetet janë në një gjendje shumë të mirë teknike.

”Tani nuk mund të bëhet fjalë për bote pa ujë, apo për mjete shpëtimi me defekte teknike”, ka thënë Shehu, i cili është shprehur se pajisjet daneze kanë ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimit.

Sipas Shehut, vetëm në javën e fundit në Qarkun e Durrësit kanë rënë dhjetë zjarre dhe vetëm ai i Fushë Krujës, i rënë në ora 2.30 të datës 4 qershor, ka qenë ndër më problematikët.

Lidhur më masat për sezonin turistik, shefi i PMNZSH-së së Qarkut Durrës, Fatos Shehu, tha se situata kritike do të vazhdojë të jetë në disa zona të menduara si të nxehta dhe konkretisht në Kënetë, Plazh, Kodër Vilë e Shkallnur. Sipas Shehut, edhe pyjet e Ishmit dhe ato të Qafë-Shtamës janë në qendër të vrojtimit e mbikëqyrjes, pasi zjarret mund të vënë në rrezik sipërfaqet pyjore. Shërbimi zjarrfikës në Durrës ka gjithsej 12 mjete dhe 94 punonjës, nga të cilët vetëm 33 janë në portin e Durrësit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›