Shqipëria po ndryshon, edhe Tiranë do të ndryshojë
Pa iu dridhur qerpiku sypatremburi i Kristaqit, Edi Rama kandidon për të katërtën herë për bashkinë më të madhe të vendit, Tiranën. Në një emision televiziv ai është vetë-përzgjedhur e vetëshpallur si njeriu më i mirë i socialistëve i gjithë kohërave, duke i prerë kështu shpresat e kequshqyerja të socialistëve për një mos-kandidim të tij. Vetë zot e vetë shkop. Me një patetizëm të theksuar melodramatik, që ulte dhe ngrinte tonalitetin e zërit, Ai tha se “do ta marr përsipër të qëndroj kryetar i bashkisë për të gjithë ata që kërkojë nga unë që të qëndroj në këtë detyre”. Filozofi i lashtë kinez Konfuci thoshte shpesh se “vetëm më të mençurit dhe më budallenjtë nuk ndryshojnë kurrë”.
Mirëpo ata që kërkojnë që Edi Rama të marrë përsipër kandidimin e katërt nuk janë qytetarët e zhgënjyer të Tiranës, dhe as socialistët e vërtetë që do kishin preferuar një njeri ndryshe, por janë klika e ndërtuesve që ka bërë presion deri në momentin e fundit që “polica e tyre e sigurimit” të luftonte deri në fund. Duke qenë peng i kartelit të ndërtimit, që i ka zënë frymën kryeqytetit, Rama largon qytetarin nga Partia Socialiste. Sepse arroganca për të përfituar deri në fund, për t’i thithur gjakun qytetarëve është e papranueshme.
Megjithatë opozita po kalon një moment kapësi e paqartësie të dukshme, ku mbrojtja e status-quo-së së korrupsionit është bërë lejtmotivi i kësaj opozite të bashkuar në sekuestrim të së ardhmes europiane të Tiranës, e gjithë Shqipërisë. Për të ruajtur vendin e punës Edi Rama ka angazhuar në koalicion është edhe Partinë e Punës, së Enver Hoxhës. Plot 24 parti ka marrë në autobusin e PS-së drejt humnerës elektorale të 8 majit, ku gremina do jetë më afër se kurrë për njeriun e përzgjedhur nga afaristët e beton-armës,që sakatojnë hapësira të gjelbra me pallate dhe sheshe ndërtimi. Janë këta lepra që kërkojnë të brejnë deri në rrashtë qytetin e Tiranës, dhe mandej gjithë vendit. Pothuajse të gjitha bashkitë e mëdha të drejtuara nga socialistët për 4 vitet e shkuara do të kandidojnë po të njëjtët njerëz të pandryshueshëm, si Edi Rama, Vangjush Dako, Shpëtim Gjika, Qazim Sejdini, Niko Peleshi dhe Flamur Bime. Këto drejtues socialistë deri më sot, pas katër vitesh qeverisje të qeverive vendore, u kanë shërbyer interesave të tyre më shumë sesa të qytetarëve. Mjafton të shikosh kush i fiton tenderët dhe lejet e ndërtimit në këto qytete për të kuptuar gjithë mekanizmin e abuzimit me pushtetin të këtyre emrave të pandryshueshëm, që konkurrencën e lirë e kanë lidhur me zinxhirë të korrupsionit.
Kuptohet vetiu se të gjithë këta kandidatë socialistë po kalojnë një krizë për shkak të rënies së performancës në përmirësimin e cilësisë së jetë në Tiranë. Ata futen në një fushatë politike ku gjithë fajin, edhe për paaftësinë e tyre, fajin e ka Saliu. Mirëpo alternativa ndaj politikës shterpë ekziston. Ka shumë kandidatë në zgjedhje , bile edhe të pavarur, që japin ide dhe projekte serioze për qytete sepse s’janë peng të klikave të ndërtimit dhe biznesmenëve të pamëshirshëm që gllabërojnë hapësirat e qytetarit për interesa të ngushta okazionale. Me votën e gjithkujt prej nesh kemi në dorë të ndahemi nga shfaqjet e dhunës për ta vënë vendin dhe Tiranën përpara interesave të këtyre afaristëve të beton-armesë. Tirana duhet të jetë për qytetarët dhe 8 maji është një betejë për një të ardhme më të mirë. Ne kemi nevojë per parqe e lulishte, për një plan dhe jo të vazhdojmë betonimin. Ky plan duhet të jetë në qendër të vëmendjes për të gjithë lagjet e kryeqytetit. Për kundër Ramës që e njohim prej 11 vitesh në krye ët bashkisë së Tiranës, dje është shpallur alternative demokratike, Lul Basha. Ai është bashkëshorti shembullor, prindi shembullor, prandaj ai me patjetër do të jetë edhe një Kryebashkiaku shembullor, për një Tiranë Europiane, për të cilën ai vetë ka kontribuar kaq shumë, me heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Njeriu i reformave ka hapur betejën kundra mykjes së Ramës në kryeqytet. Shqipëria po ndryshon edhe Tiranë do të ndryshojë.