Speciale/Çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme
Asnjëri prej studiuesve apo analistëve të marrëdhënieve ndërkombëtare nuk e kishte parashikuar (madje as ai më optimisti), se kryengritja në Tunizi kundër ish presidentit diktator prej 30 vjetësh në pushtet Ben Ali, do të shoqërohej nga ajo që njihet si “Efekti Domino” i rrëzimit të të gjitha sistemeve shtetërore, të ndërtuara në mënyrë të ngjashme me të përgjatë 30-vjeçarit të fundit. Po ashtu studiuesit dhe analistët, nguronin të shpallnin me bindje të plotë kur vala e protestave përfshiu Algjerinë dhe kur filluan zërat dhe kryengritjet e vogla në Egjipt, nëse ishte momenti i zhvillimit të efektit domino në Lindjen e Mesme, për të pasur një moment të Rrëzimit të Murit të Berlinit për këtë rajon. Por nëse rënia e këtyre regjimeve ishte në vetvete progres, konfigurimi i Mjedisit të Ri të Sigurisë që do krijohej, jo vetëm në rajon por edhe me gjerë, ngjallte shqetësime të mëdha në arenën ndërkombëtare dhe në mënyrë të veçantë në Izrael. Konkretisht shqetësimet lidheshin me disa faktorë dhe shtete: Shqetësimi i parë që të gjithë qytetarët e botës, por sidomos ata të hemisferës veriore ka të bëj me çmimin e naftës, sepse është e sigurt rritja e tij, pasi rajoni në fjalë është prodhuesi më i madh i hidrokarbureve në planet. Në rajonin e Gjirit Persik prodhohet pothuajse 60% e naftës në botë. Kuptohen pasojat. Përveç rritjes së çmimit të naftës si efekt i parë ekonomik që solli “revolucioni demokratik” i këtyre vendeve të rajonit, pasojë tjetër ekonomike e cila ka të ngjarë të jetë afatgjatë dhe që ndikimi realisht do ndihet në periudhë afat-mesme është rënia, në mos bllokimi i veprimtarisë ekonomike të shumë korporatave dhe kompanive ndërkombëtare që kishin aktivitete biznesi dhe investime në këto rajone. Edhe pse klasa politike që ka ardhur në pushtet përkohësisht në këto vende ka dhënë garanci të plota se gjithçka do të kthehet në normalitet, kjo nuk është shumë për tu besuar, përjashto Egjiptin, ku pushtetin e ka marrë ushtria, pasi duke pasur parasysh ndikimin e fesë, nuk mund të flitet me garancia se si do të jetë e ardhmja në këto shtete. Për pasojë pasiguria e bizneseve në këto shtete do ketë ndikimin e tyre dhe në shtetet e zhvilluara. Nëse një kompani franceze apo gjermane e cila ka investuar në këto shtete, për shkak të bllokimit të veprimtarisë, nuk mund të mbaj të punësuar në Itali apo Francë punonjës (pasi lagen nga deti Mesdhe), nëse lënda e parë vjen nga këto shtete të rajonit. Për pasojë do të kemi rritje të papunësisë, por edhe rënie të ardhurash në buxhetin e qeverive franceze dhe italiane, pasi kompanitë nuk mund të paguajnë taksat dhe tatimet. Shqetësimet e shteteve kryesisht atyre të Mesdheut, ka të bëjë me valën e refugjatëve që do vinin nga ky rajon qoftë azilkërkues ose jo, por ky shqetësim rritet duke menduar që ende jemi në mesin e krizës ekonomike që ka përfshirë mbarë botën dhe që në këto momente kostoja është edhe më e lartë. Prandaj nëse në momentet e para pati një gëzim të vogël të rënies së këtyre regjimeve, ky entuziazëm nuk vazhdoj gjatë, madje nuk mund të themi me siguri nëse pati një entuziazëm në politikën evropiane. Për pasojë këtyre shteteve do t’u duhet të shpenzojnë për të pritur, ushqyer, sistemuar qoftë edhe përkohësisht këta refugjatë që do mbërrijnë në derën e tyre. Duke pasur parasysh situatën ekonomike aktuale, kostoja është e konsiderueshme.
Nëse do të bënim një përmbledhje të këtyre tre elementëve, duke marrë si shembuj Francën dhe Italinë, do të thoshim se pasojat ekonomike do të jenë vërtet të larta nga këto ndryshime, pasi, do të kenë karburantin me çmim më të lartë, do të kenë rënie në të ardhura për shkak të bizneseve në këtë rajon, shtim të papunësisë dhe shpenzime për pritjen, dhënien e ndihmës së parë dhe trajtimin e refugjatëve që vinë nga këto shtete në “revolucionin demokratik” të rajonit të Lindjes së Mesme.
***
Kriza arabe, sa si dhe pse? Gjeopolitika e Lindjes së Mesme ndryshoi përfundimisht, kjo nuk mohohet nga askush. Por situata aktuale duhet pranuar që e ka origjinën e saj në të shkuarën jo shumë të largët të rajonit. Ajo që duhet kuptuar më së miri janë konfliktet e dukshme por edhe të padukshme të rajonit. Shumë studiues dhe analistë mendojnë se në rajon janë vetëm 2 (dy) konflikte që kanë mbajtur të tensionuar situatën. Por në rajon ka realisht 3 ( tre) konflikte. Konflikti Izraelit - Palestinez, ekziston prej themelimit të Izraelit në 1948. Konflikti Arabo – Izraelit, i cili është në një farë mënyre një “detantë” prej 30 vjetësh ose le të themi një “Luftë e Ftohtë” midis Izraelit dhe vendeve arabe të rajonit. Por ajo që shumë studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ekspert të sigurisë e kuptojnë dhe e pranojnë është konflikti Intra-arabik, ose midis vendeve arabe. Nuk është sekret ta themi që ka një konflikt të “nëndheshëm” midis arabëve. Madje një shprehje e urtë e vendeve arabe (kam pasur mundësinë ta dëgjoj nga vetë arabët ta thonë dhe pranojnë me dhimbje) se “Arabët kanë rënë dakord që të mos bien kurrë dakord” ose në variantin tjetër se “Arabët kanë vetëm një marrëveshje, të mos bëjnë kurrë marrëveshje, ose janë marrë vesh që të mos merren kur vesh me njëri – tjetrin”. Ku e kanë burimin këto mosmarrëveshje ose kjo marrëveshje për të mos u marrë vesh? Për këtë mjafton që të themi se në këtë rajon ka 3(tre) organizata ndërkombëtare arabe dhe islamike, ku të gjithë shtetet e rajonit janë anëtarë në të 3(treja) këto organizata. Këtu lind një pse e fortë, kur fare mirë një organizatë e vetme mund të kryente shumë mirë funksionin. Këto organizata kanë pothuajse të njëjtin mision. Konkretisht Organizata e Lidhjes Arabe Organizata e Ligës Arabe. Organizata e Konferencës Islamike, ku pjesë e saj është dhe Shqipëria. Por e vërteta është se Egjipti, Arabia Saudite dhe Irani, kanë qenë në një luftë të heshtur për të sunduar arabët, prej vitit 1920 kur u shkatërrua perandoria otomane. Arsyet janë sa fetare aq edhe gjeopolitike. Egjipti është shteti më i madh i rajonit jo vetëm si territor por edhe si popullsi, për pasojë nuk do të ishte as e moralshme dhe as korrekte politikisht që t’i bindje vullnetit të një shteti tjetër në rajon, për asnjë lloj arsye, cilido të ishte ky shtet. Arabia Saudite, është vendi i cili përveçse ka një ekonomi të zhvilluar për shkak të rezerva të naftës që ka nëntoka e saj, gjithashtu është vendi shpirtëror i të gjithë myslimanëve të botës, pasi në të gjenden 2(dy) vendet e shenjta të besimit Islam, Meka dhe Medina. Për këtë shkakun e dytë, Arabia kërkon që të jetë ajo udhëheqësja e botës arabe. Por arsyet e mësipërme që janë kryesisht morale, nuk e vendosin atë në pozicion të favorshëm gjeopolitik për të udhëhequr gjithë botën arabe. Këtu dëshiroj të theksoj se shumë analistë dhe intelektual në Shqipëri dhe në Kosovë, u gabuan rëndë në parashikimet e tyre euforike, në momentin kur Arabia Saudite njohu shtetin e Kosovës, me shpresën se gjithë shtetet e tjera arabe do e bënin të njëjtën gjë, për shkak se Arabia Saudite është lideri fetar i myslimanëve në botë. Por për shkak të njohjes shumë të pakët të realitetit të rajonit, parashikimet e tyre dolën fatkeqësisht të gabuara, sikundër parashikimi i disa analistëve dhe ekspertëve të marrëdhënieve ndërkombëtare, u treguan më realist në vizionin e tyre, duke mos parë asgjë të jashtëzakonshme në faktin që u njoh Kosova nga ana e Arabisë Saudite. Koha na dha të drejtë. Irani, është mëshirim i bashkimit të elementëve gjeopolitik të dy shteteve të mësipërm. Mund të themi madje një e mesme e përpjesshme nga bashkimi i këtyre elementëve. Ai është pothuajse në kushtet e Egjiptit për sa i përket territorit dhe popullsisë (por sigurisht më i vogël se ky i fundit), por gjithashtu për shkak të besimit islam të sektit Shi’it, është vendi shpirtëror i shi’itëve të gjithë botës, për shkak se mëkëmbësi dhe nipi i Profetit Muhamed, Imam Aliu, prej 1400 vjetësh aty ka ndjekësit dhe kjo nuk është gjë e vogël. Udhëheqja botërore e shi’itëve është Ayatollah, udhëheqësi shpirtëror i tyre, që shërben si Kalifat për ta. Por gjithashtu Irani ka dhe rezerva nafte, ka një industri të zhvilluar dhe një sistem arsimor të fortё. Pra dhe ai është po thuaj në kushtet e Arabisë Saudite por edhe në ato të Egjiptit. Gjithashtu këtë ekzistencë të luftës intra-arabe, e konfirmon fakti i publikimit nga Wikileaks, i kabllogrameve të diplomacisë amerikane, ku për rastin e Arabisë Saudite, theksonte faktin se Mbreti saudit i kishte kërkuar me këmbëngulje administratës amerikane të mos largonte trupat nga Iraku, për shkak të influencës së Iranit në këtë shtet si dhe të ndërhynin ushtarakisht në Iran, për rrëzimin e pushtetit atje, pasi kjo do të stabilizonte rajonin.
Kalifati, është udhëheqja botërore e myslimanëve siç është Papa për katolikët e botës dhe Vatikani. Dua të shpjegoj gjithashtu faktin që sulltani ka qenë udhëheqës i kalifatit jo i Turqisë, sikundër është Ayatollah Kamenei sot në Iran. Përçarja e vendeve arabe ka sjellë që kalifati të themelohej nga Turqia (osmanlinjtë) dhe të shkatërrohej po nga ajo. Fakti që prej 1920, kur Qemal Ataturku e shkatërroi atë dhe deri më sot vendet arabe qoftë veç e veç qoftë së bashku nuk kanë arritur të rikrijojnë kalifatin tregon se sa të përçara janë ato, jo vetëm politikisht por dhe në besimin fetar.
***
Revolucioni demokratik i Lindjes së Mesme.
Duke mos hyrë thellë në histori, do të analizojmë vetëm 30 vjetarin e fundit të zhvillimeve në rajon. Iniciuesi dhe organizuesi i luftërave Arabo – Izraelite ka qenë Egjipti. Kur mbaruan luftërat dhe Mubaraku mori pushtetin në Egjipt, bëri një lëvizje të zgjuar gjeopolitike, duke dalë garant i Marrëveshjes së Paqes me Izraelin. Për këtë qëllim ai u përkrah nga ana e SHBA, ku prej vitit 1979, përfitonte një ndihmë ekonomike vjetore prej 3 miliard $ nga SHBA, ndërsa Izraeli përfiton një ndihmë prej 5 miliard$, kryesisht në armatim. Gjithashtu, oficerët e ushtrisë egjiptiane dhe ata izraelitë janë stërvitur dhe arsimuar të gjithë në SHBA. Pikërisht ky rol i garantuesit të paqes që ka luajtur Egjipti ka sjellë paqe në Lindjen e Mesme, ku ka vetëm një konflikt aktiv, i cili është i kontrollueshëm, ai izraelito – palestinez, ndërsa dy konfliktet e tjera, ai arabo – izraelit dhe ai intra-arabik të mos ketë shkëndija për të nisur prapë nëse nuk është shuar fare.
Shumë intelektualë dhe studiues të cilët nuk njohin rajonin, nuk e kuptonin pse nuk u organizua një aleancë arabe kundër SHBA-së gjatë ndërhyrjes në Irak në 2003, apo pse nuk pati përsëri një aleancë kundër ndërhyrjes ushtarake të Izraelit në Liban në 2006.
***
Ky është plotësisht produkt i pozicionit të Egjiptit. Pikërisht nga ky revolucion demokratik i rajonit, sjell në vëmendje faktin se Izraeli është më i shqetësuari për sigurinë e tij, sidomos nëse këto shtete shndërrohen në shtete islamike, apo edhe nga ndonjë aleancë e mundshme kundër tij. Por nga analiza e mësipërme kjo ka 0.1% mundësi të ndodh në 2 vitet e ardhshme. Por jo se situata nuk është shqetësuese.
Lëvizjet islamike mendojnë se u ka ardhur momenti t’i shndërrojnë këto shtete nga republika në shtete islamike, që do të ishte një katastrofë e vërtet. Por mendoj se si diplomacia evropiane ashtu dhe ajo amerikane kanë një ndikim të fuqishëm në rajon për arsye strategjike (gjeo-nafta) dhe nuk do lejojnë për asnjë arsye transformimin e këtyre shteteve në shtete islamike, të organizuara sipas Sherihatit. Atëherë ku qëndron problemi? Ajo që unë shoh me shqetësim është politika e Turqisë. Për shkak të përplasjeve me Izraelin për incidentin e me anijen e lëvizjes së paqes, Turqia në këtë moment ka në dorë një kartë shumë të fuqishme për ta përdorur si thikë me dy presa. Nga njëra anë një lëvizje e saj në drejtim të botës arabe mund të sjelli udhëheqjen e arabëve dhe myslimanëve prej saj, pasi vërtet ajo është shkatërruesja e kalifatin, por ajo që nuk dimë është fakti nëse është në gjendja ta krijoj prapë apo jo? Kjo është dilemë shumë serioze, pasi një lëvizje e tillë e saj përbën kërcënimin më të madh që Izraeli ka njohur prej themelimit të tij në vitin 1948, pasi Turqia disponon të gjitha mundësitë politike dhe ushtarake për të realizuar synimet e saj në rajon.
Ndërkohë që mendoj se kjo lëvizje e saj, është presa tjetër e thikës që ajo të kërcënoi Evropën dhe SHBA-në për anëtarësimin e saj në BE, pas një pritje të gjatë në dyert e saj, prej vitit 1963. Por gjithashtu ajo është anëtare e NATO-s, element që mund ta shfrytëzojmë shumë sukses për qëllimet e saj gjeopolitike. Besoj se Turqia e ka hedhur topin në fushën e SHBA dhe BE që të luajnë këto të fundit. Për këto arsye gjykoj se deklarata e kryeministrit britanik Kameron gjatë vizitës së tij në Ankara, ku u shpreh se :“Ka ardhur koha që BE duhet të ndryshoj qëndrimin për Turqinë, se roje e kampit pa të drejtë hyrje në kamp nuk është normale. Nuk mundet të injorohet ky fakt”.
Nëse shumë analistë dhe studiues e kuptuan si çështje e presionit të Britanisë së Madhe kundër BE, mendoj se diplomacia britanike për shkak të jetëgjatësisë dhe eksperiencës së saj të pasur, ka dalë në konkluzionin më realist për situatën jo vetëm për Turqinë por edhe të rajonit, qëndrim i cili u shpreh nga kryeministri Kameron.
***
Çfarë do të sjellë e ardhmja e rajonit? Të bësh parashikime është shumë e vështirë sidomos kur ende e tashmja është shumë e turbullt për të nxjerrë konkluzione të sakta, për të kuptuar realisht situatën. Topi është hedhur në fushën e aktorëve ndërkombëtar dhe vazhdon të jetë aty. Por disa nga këta aktorët ndërkombëtar nuk janë fillestar dhe pa eksperiencë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Dhe çfarë mund të bëjnë këta aktor ndërkombëtar për të ardhmen e rajonit? Parashikoj një të ardhme demokratike për shtetet e rajonit, pasi zhvillimi ekonomik dhe industrializimi do të sjellin një garë midis tyre, që do të ketë si pasojë ri-konfigurimin e gjeopolitikës së rajonit.
Kjo nënkupton një rajon të stabilizuar, por sigurisht në zhvillim e sipër gjatë dinamikës, tranzicioni nuk do jetë shumë i lehtë duke pasur parasysh besimin fetar. Por globalizimi dhe konkurrenca për tregje dhe produkte, në mënyrë konstante dhe me kalimin e kohës do të ushtrojnë presion, i cili do të sjelli si pasojë stabilizimin e rajonit sidomos për shkak të rëndësisë së tij, duke e bërë atë më të sigurt, më të qëndrueshëm në pikëpamje të sigurisë dhe me të konsoliduar në pikëpamje të ndërtimit të shteteve demokratike.