Ledjo Pano: Partizanit i mungon filozofia
Ish-mesfushori i të kuqve vlerëson drejtuesit, por thekson se skuadrës i mungon cilësia në tërësi, ku mungojnë kushtet për ndërtimin e një ekipi që të përfaqësojë emrin që ka
Ish-mesfushori i Partizanit, Ledjo Pano nuk shprehet entuziast për perspektivën e skuadrës aktuale të të kuqve. Djali i legjendës së futbollit shqiptar, Panajot Pano, jep mendimin e tij rreth ecurisë së skuadrës dhe mangësitë që ekipi ka në kompleksitetin e saj.
Në radhë të parë për mua është e rëndësishme që me ekipin po merren dy njerez të rëndësishëm, Lulzim Sallaku dhe Gaz Demi, të cilët po mundohen të bëjnë diçka për këtë klub. Por mua nuk po më pëlqen mënyra se si po e kërkojnë të dalin në superiore, u shpreh Pano, i cili e argumentoi një gjë të tillë me mungesën e një filozofie të qartë për të ardhmen.
Filozofia e munguar
Duhet të krijojnë kushtet, të cilat akoma nuk ekzistojnë ende për mua. Nuk ka akoma një filozofi se si mund të shkohet më lart. Besoj se nuk është problemi të dalësh në superiore e të biesh prapë, por për mua ekipi nuk ka elementet e duhur për të ecur dhe shkuar përpara dhe për të rikthyer emrin e dikurshëm, u shpreh Pano. Mungesa e filozofisë për ndërtimin e një skuadre të madhe dhe me bazë qëndrueshmërie, përbën dhe shqetësimin e ish-lojtarit të Partizanit, për të cilën ka luajtur si mesfushor.
Mungesa e forcës
I pyetur se cilat janë mangësitë në këtë drejtim, pra që skuadra të jetë e besueshme në të ardhmen, Pano tha: Edhe pse kanë fituar ndeshjet e fundit, mua nuk më kanë pëlqyer ndeshjet që ata kanë zhvilluar. Mungon forca, mungon shpejtësia dhe zgjuarsia në lojën e tyre. Për mendimin tim, skuadra i ka fituar ndeshjet vetëm me emrin Partizani. Gjithsesi, më bëhet qejfi që po fitojnë por!, nënvizoi Pano.
Kushtet e papërshtashme
Skuadra e Partizanit ka arritur të rikuperojë shumë pikë me Mamurrasin e vendit të dytë, duke u renditur tashmë në vendin e dytë pas dy fitoreve të fundit ndaj Burrelit dhe Dinamos. Ish-lojtari i Partizanit dhe i kombëtares shqiptare, Ledio Pano evidentoi dhe atë që i mungon skuadrës sipas mendimit të tij. Stërvitshmëria, Disiplina dhe mentaliteti janë tre elementët bazë që duhet në një skuadër për të ecur përpara. Këto elementë nuk ekzistojë në skuadrën aktuale të Partizanit, theksoi Pano.
Mungesa e cilësisë
I pyetur se cili nga elementët e skuadrës aktuale ka lënë më shumë përshtypje, ai evidentoi mbrojtësin e krahut të majtë, nigeriani Udoh. Nuk është ndonjë lojtar kushedi se çfarë, por mbrojtësi nigerian i krahut të majtë më ka pëlqyer më shumë, është simpatik si lojtar, tha Pano.
Lidhur me merkaton e janarit që ka zhvilluar ekipi, Pano nuk u shpreh optimist për cilësitë e këtyre lojtarëve, të cilët ai i konsideron jo të denjë për emrin e Partizanit. Mund të jenë afruar lojtarë, por jo për emrin e Partizanit. Ata po mundohen me të tyren për skuadrën, por duhet të theksojmë që skuadra ka nevojë për lojtarë të cilësive të tjera, theksoi Pano.
Infrastruktura
Një nga problemet që preku Pano ishte dhe mungesa e infrastrukturës, e cila mbetet problemi më jetik për futbollin në vendin tonë. Infrastruktura është problemi kryesor te Partizani, të cilën e ka pasur dikur më të mirën në Shqipëri. Më pas vijnë elementët e tjerë, të cilat kanë lidhje të fortë me të parën.
Vlerësimet
Sipas Panos, njerëzit që kanë kontribuar për sportin dhe në veçanti në futboll, nuk zënë rolet që meritojnë në këtë lojë, për të cilën dha dhe një përgjigje ironike. Me të zotët janë ata që nuk kanë luajtur ndonjëherë, sesa ata që kanë luajtur. Ledjo Pano ka qenë një nga ekzekutuesit më të mirë të goditjeve të dënimit, ku ka shënuar shumë gola spektakolar. Ai e nisi karrierën e tij me skuadrën e Partizanit në vitin 1986-të. Me të kuqtë, Pano ka luajtur 144 ndeshje dhe ka shënuar 53 gola.
Karriera
Pas pesë sezonesh, Pano kaloi te Luftëtari, me të cilin luajti vetëm një sezon. Më pas karriera e tij futbollistike u transferua në Greqi, ku luajti me disa skuadra. Skado Ksanthi është ekipi me të cilin ka shkëlqyer më shumë në kampionatin grek. Karrierën e tij si futbollist e mbylli me skuadrën e tij të lindjes, Partizanin në vitin 2002. Me skuadrën kombëtare, Pano është aktivizuar nëntë ndeshje.
Një nga fragmentet më emocionuese të tij me kombëtaren ka qenë një goditje dënimi ndaj Gjermanisë nga 40 metra, topi i së cilës u përplas fort në traversë. Për kohën ka qenë një rast i veçantë ndaj një skuadre legjendare siç është Gjermania. Kontributi I tij ka qenë i rëndësishëm në futbollin tonë, pasi ai përfaqësonte modelin modern.
