Legaliteti: Debati për hapjen e kutive, rreziqet që po i sjell qytetarëve

Tiranë, 7 shkurt NOA - Partia Lëvizja e
Legalitetit vëren me shqetësim se debati për hapjen apo mos hapjen e kutive të
votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, po përkeqësohet në një konflikt politik.
Madje Legaliteti thekson se ky konflikt rrezikon
shmangien nga thelbi i problemit, mënjanimin nga debati politik i shumë
çështjeve te tjera, apo përshkallëzimin e situatës në skenarë të zymtë.
Besnik Murati, nënkryetar i PLL tha sot në një
dalje para mediave se kjo parti i përmbahet pikëpamjes se çështja e kutive
është vetëm maja e ajsbergut e zgjedhjeve të 28 qershorit,
që u projektuan për
të qenë të tilla nga një marrëveshje mes dy partive, të cilat duke u kujdesur
vetëm për interesat e veta, hartuan e vendosën në Kodin Zgjedhor kritere
kufizuese dhe diskriminuese për partitë e tjera duke cenuan rëndë pluralizmin
në vend, pasojat e te cilit po shihen sot.
Në këtë kuptim, çdo bisedim apo hetim për zgjedhjet
e 28 qershorit, kërkon në radhë të parë një reflektim dhe njohje përgjegjësie
për deformimet e shkaktuara në përfaqësimin politik nga shkaku i Kodit Zgjedhor
dhe lëshimeve që ju bënë opozitës së majtë për zgjedhjen e sistemit elektoral,
hartimin dhe miratimin e Kodit Zgjedhor si dhe administrimin e procesit, - tha
Murati.
Ai evidentoi më pas se Partia Socialiste, e
cila në zgjedhjet e 28 qershorit kishte një ushtri me komisionerë, numërues
dhe vëzhgues, para se të kërkojë hapjen e kutive dhe rinumërimin e votove,
duhet të shprehë opinionin e saj për votat e të gjithë atyre partive që nuk
kishin asnjë akses në procesin e votimit apo numërimit.
Për më tepër, - vijoi Murati, PS nuk ka dhënë
asnjë propozim konkret për përmirësimet që duhen bërë në Kodin Zgjedhor për të
caktuar rregulla të ndershme loje.
Duke qenë mbështetëse e çdo diskutimi dhe
negocimi konstruktiv, Partia Lëvizja e Legalitetit ndjehet skeptike për çdo
diskutim nën presion dhe çdo zgjidhjeje të cunguar që ky diskutim mund të prodhojë.
Partia Lëvizja e Legalitetit vlerëson
pozicionin delikat të Presidentit të Republikës në këtë çështje dhe duke e
inkurajuar atë në ushtrimin e paanshëm të detyrës, thekson se çdo marrëveshje
dhe zgjidhje , do të jetë e padrejtë për aq kohë sa nuk do të merren për bazë
interesat e partive të diskriminuara nga Kodi Zgjedhor, - përfundoi z.Murati.
d.xh/NOA