E Diel, 1 Nëntor 2026

BE, gati ambasadori fuqiplotë në Shqipëri

Emërimi

Bashkimi Europian do të emërojë së shpejti një ambasador fuqiplotë në Shqipëri, i cili do të jetë i plotfuqishmi dhe përfaqësuesi i vetëm i Brukselit në Tiranë. Me hyrjen në fuqi të Paktit të Lisbonës, i cili parashikon krijimin e një diplomacie të përbashkët të Europës, përfaqësuesja speciale e BE-së për politikën e jashtme pritet ta emërojë ambasadorin për Shqipërinë. Deri tani Brukseli ka funksionuar me dy diplomatë, atë të vendit që përfaqëson Presidencën e radhës së BE-së dhe kreun e Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri. Ndërkaq, javën e ardhshme në Tiranë do të mbërrijë ekipi i parë që do të shikojë në terren zbatimin e kushteve për liberalizimin e vizave. Grupi që do të vizitojë Shqipërinë ka një përbërje të nivelit të lartë. Në krye të tij do të jetë kreu i Departamentit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Zgjerimin pranë Komisionit Europian, Luigi Soreca. Së bashku me të do të jetë prezente edhe drejtoresha e njësisë për Shqipërinë dhe Malin e Zi, Marta Garcia Fidalgo. Të dërguarit e Brukselit do të marrin në analizë të gjithë bazën e të dhënave të dorëzuara nga qeveria shqiptare. Kryesisht ata do të përpiqen që të ballafaqojnë ato çka shkruhen nëpër letra, me ato çka realisht ndodhin në terren. Kontrolli në pikat kufitare, që ka të bëjë me menaxhimin e kufijve, është një kriter që nuk pritet të jetë jashtë vëmendjes strikte të Brukselit. Blloku i parë në kuadër të udhërrëfyesit ka të bëjë me sigurinë e dokumenteve të udhëtimit. Blloku i dytë ka të bëjë me migracionin e paligjshëm, duke përfshirë këtu edhe çështjen e ripranimit. Blloku i tretë flet për rendin publik dhe sigurinë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›