Rregulla të reja për pasaportat biometrike
Ministria e Brendshme publikon udhëzimet
Autoritetet policore, pjesë e procesit
Asnjë qytetar shqiptar nuk do të ketë të drejtën të pajiset me një pasaportë të re biometrike, pa bërë më parë të pavlefshme pasaportën e vjetër. Ministria e Brendshme bëri dje publike edhe rregullat e reja, të cilave qytetarët janë të detyruar t’i nënshtrohen për të marrë pasaportën e re. Sipas zëdhënësit të kësaj ministrie, të drejtën për t’i shpallur të pavlefshme këto pasaporta e kanë vetëm punonjësit e policisë. “Në rast se shtetasi zotëron pasaportë të tipit të vjetër, punonjësi i policisë e bën atë të pavlefshme, duke i shpuar dy vrima në kapak, pa dëmtuar vizën, lejen e qëndrimit apo shënime të tjera që mund të ndodhen në pasaportë dhe më pas ia dorëzon shtetasit”, sqaron Ministria e Brendshme. Sipas saj, në rast se shtetasi nuk ka qenë i pajisur më parë me një pasaportë, atëherë do të jenë autoritetet policore të cilat do t’i dorëzojnë një vërtetim të tillë. Ndërsa në rastet kur personi e ka humbur apo ia kanë vjedhur pasaportën, përsëri policia do ta vërtetojë këtë me një dokument. Në këtë mënyrë, shtetasi do të mundet të tërheqë pasaportën biometrike pranë zyrës së “Aleat”, vetëm duke paraqitur ose pasaportën e vjetër të bërë të pavlefshme nga punonjësi i policisë, ose vërtetimin që nuk ka qenë i pajisur më parë me pasaportë, ose vërtetimin se pasaporta i ka humbur, i është vjedhur apo dëmtuar. “Nëpunësi i ‘Aleat’ verifikon pasaportën e bërë të pavlefshme dhe ia dorëzon përsëri shtetasit ose administron vërtetimin sipas të dyja rasteve të sipërpërmendura dhe më tej vijon me procedurën e dhënies së pasaportës së re biometrike për shtetasin”, theksohet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Brendshme. Po kështu, zyrtarët e kësaj ministrie sqarojnë se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka caktuar tashmë personat përkatës për kryerjen e kësaj procedure dhe ka dhënë udhëzimet e nevojshme për një shërbim sa më të shpejtë e profesional ndaj qytetarëve. Po kështu zëdhënësi i kësaj ministrie informoi dje se pajisja e qytetarëve me pasaportat e reja biometrike, po ecën me ritme të larta. Sipas tij, të dhënat nga kompania “Aleat” njoftojnë se numërohen rreth 475 mijë aplikime për pasaporta biometrike. Po kështu, Ministria e Punëve të Brendshme u kujtoi edhe një herë qytetarëve se pajisja me pasaportat e reja biometrike ishte edhe një kriter i vendosur ndaj Shqipërisë për liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian. Sipas ministrisë, pajisja e një qytetari me këtë dokument të ri dhe të sigurt identifikimi përforcon edhe më shumë suksesin e vendit tonë për një regjistrim të lehtësuar vizash.
#