E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në PD, javën e ardhshme mblidhet Këshilli Kombëtar

Berisha do të paraqesë 38 kandidaturat për Kryesinë dhe ato për sekretarët
Negociatat që Kryeministri Berisha pritet të zhvillojë këtë javë me kryetarin e opozitës, Edi Rama, për zgjidhjen e krizës politike në vend, nuk do ta pengojnë atë të vijojë axhendën normale të punëve në Partinë Demokratike. Burimet pohuan dje se Kryeministri, njëkohësisht kryetari i PD-së, Berisha, do të thërrasë në fundjavën e ardhshme mbledhjen e Këshillit Kombëtar, strukturë e cila do të zgjedhë Kryesinë e re të demokratëve dhe sekretariatin. Javën e ardhshme do të jetë vetë Kryeministri Berisha, i cili do t’i propozojë këtij këshilli edhe emrat e kandidaturave për Kryesinë e re. Sipas statutit, do të jetë kryetari i PD-së, Berisha, personi i cili do t’i paraqesë Këshillit Kombëtar edhe listën me 38 kandidatura, mes të cilave anëtarët e këtij këshilli do të zgjedhin me votim të fshehtë 25 anëtarët e Kryesisë së re të demokratëve. Por burimet bëjnë gjithashtu të ditur se favoritë për të qenë pjesë e Kryesisë janë edhe 30 emrat e parë më të votuar të Këshillit. Vihet re se emrat e rinj, mes më të votuarve në Këshill, janë ato të deputeteve demokrate, Mesila Doda dhe Rajmonda Bulgu, prefekti i Tiranës, Keltis Kruja dhe zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli. Pavarësisht emrave favoritë, gara për Kryesinë e re të demokratëve, pritet të ofrojë edhe surprizat e saj, nisur edhe nga deklaratat e Kryeministrit Berisha se rinovimi i strukturave është një politikë që PD do ta ndjekë në këto zgjedhje. Po kështu, rinovimi dhe shtimi i posteve pritet të ndodhë edhe me sekretariatin e demokratëve. Por duket se të palëvizshëm në parti do të vazhdojnë të jenë emrat që mbajnë postet e sekretarit të përgjithshëm dhe nënkryetarëve. Kjo edhe për faktin se PD nuk pranoi gjatë mbajtjes së Kuvendit të saj, ndarjen e posteve në qeveri nga ato partiake. Ndonëse nuk priten surpriza të mëdha për sa i përket ndryshimit të lidershipit të partisë, gara do të jetë e pranishme në secilin nga pozicionet. Anëtarët e Këshillit Kombëtar do të zgjedhin mes kandidaturave emrin e atij që preferojnë. Sipas statutit të PD-së, të drejtën për të propozuar kandidatë, përveçse kryetarit të partisë, e ka edhe Këshilli Kombëtar, Kryesia Qendrore dhe ato të degëve. Por nga ana tjetër, statusi tashmë i jep të drejtën edhe jo më pak se 15% të anëtarëve të Kuvendit me të drejtë vote dhe të shpërndarë të paktën në pesë degë të vendit që të kenë mundësinë të propozojnë edhe kandidaturat e tyre. Por pritet që në fundin e javës së ardhshme të mos kenë asnjë burim tjetër propozimi, përveç atyre që do të vijnë nga kryetari i PD-së, Berisha. Këshilli Kombëtar i PD-së ishte planifikuar për t’u mbledhur në mesin e muajit janar, por përmbytjet në zonën e Shkodrës, që ndodhën në fillim të janarit, sollën shtyrjen e mbledhjes së këtij këshilli. Ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar, për herë të parë pas katër vjetësh, PD mblodhi Kuvendin e saj Zgjedhor, i cili zgjodhi 100 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të demokratëve. Po kështu, delegatët e Kuvendit, të ardhur nga të gjitha qarqet e vendit, zgjodhën edhe për një mandat tjetër katërvjeçar, Sali Berishën si kryetar të PD-së. Në këtë garë Kryeministri Berisha nuk kishte rivalë dhe ai mori afërsisht 98% të votave të anëtarëve të Këshillit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›