E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Qeveria po injoron Kushtetutën

Qëndrimi
Opozita komenton rrëzimin e ligjit për auditimin

Partia Socialiste ka akuzuar qeverinë se po trondit gjithnjë e më shumë pavarësinë e institucioneve kushtetuese në vend. Deputetja socialiste, Vasilika Hysi, ka komentuar dje rrëzimin nga Gjykata Kushtetuese të ligjit “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertëve kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar”. Sipas Hysit, “kjo është një tjetër ‘shuplakë’ që GJK u jep përpjekjeve të mazhorancës për të miratuar ligje që bien ndesh me Kushtetutën dhe që kërkojnë të vendosin rregulla juridike me ligje që votohen me shumicë të thjeshtë”. Opozita bëri të ditur se qeveria po injoron ligjin themeltar të shtetit. “Injorimi që i bëhet Kushtetutës, ndarjes dhe balancimit të pushteteve, respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut nuk janë rastësi, por mënyrë e qeverisjes dhe shprehje e prirjeve teje të theksuara për të injoruar çdo pushtet tjetër dhe për të përqendruar të gjitha pushtetet në dorën e pushtetit ekzekutiv. Këtë përfundim e vërtetojnë më së miri nismat e tjera ligjore të hedhura në tregun mediatik, para se të bëhen pjesë e nismave të institucioneve të interesuara dhe debateve me ekspertë dhe institucionet përkatëse”, deklaroi Hysi.
Socialistët kanë lëshuar alarmin edhe për ligje të reja që po ndryshohen, të cilat sipas PS, po shkelin Kushtetutën. “Përpjekjet për të ndryshuar ligje të rëndësishme si: ligjin për Shërbimin Informativ Kombëtar, ligjin “Për policinë gjyqësore”, miratimin e ligjit për parandalimin e krimit të organizuar mes goditjes së pasurisë etj.”, janë nisma në vazhdën e dëshirave të shfrenuara për të cenuar Kushtetutën, pavarësinë e institucioneve dhe parimet e vendosura në kodet e miratuara me votim të cilësuar”, tha deputetja Vasilika Hysi.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›