Imami: Reduktimi i trupave në Kosovë, në përputhje me rritjen e sigurisë

Tiranë, 7 Shkurt NOA - Ministri i Mbrojtjes,
Arben Imami, konfirmon kërkesën e Shqipërisë në Stamboll që reduktimi i trupave
të KFOR-it në Kosovë të bëhet, por në përputhje me rritjen e sigurisë në
shtetin më të ri në botë.
Kosova tani ka stabilitet si nga ana
politike, ashtu edhe sa i përket krimit dhe trafiqeve, por ka një problem
sigurie në veri e që sponsorizohet nga Beogradi, gjë që shkon thelbësisht
kundër të gjitha përpjekjeve të NATO-s dhe të komunitetit ndërkombëtar për
stabilitet në Kosovë, - deklaroi sot Imami, ka theksuar në një intervistë
me
Deutsche Wellen.
Natyrisht, - shtoi ai, - që me ndryshimin e
kushteve do të ketë edhe një zbritje të trupave të NATO-s atje, por ne kërkuam në
Stamboll që ajo të jetë proporcionalisht me rritjen e sigurisë, në veçanti në
pjesën veriore të Kosovës.
Imami ishte këto ditë në takimin e ministrave
të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s në Stamboll, ku ishte i pranishëm
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, si dhe ministrat e
Mbrojtjes të vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Në takim mori
pjesë edhe Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates.
Gjatë zhvillimit të takimit u diskutuan tri
çështje të rëndësishme: Buxheti i NATO-s; Kosova dhe Afganistani.
Ministrat e Mbrojtjes të Aleancës u ndalën në
angazhimin e NATO-s në Kosovë, veprimet e ndërmarra deri në muajt e fundit, si
dhe përshëndetën arritjet e shënuara nga strukturat e KFOR-it gjatë kësaj
periudhe.
Gjithashtu ministrat riafirmuan angazhimin e
Aleancës për të vazhduar përmbushjen e mandatit të saj për një mjedis të sigurt
në Kosovë.
Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, u shpreh pas takimit në këtë ministerial, se
atje u shfaq qëndrimi i vendit tonë për rrugën e integrimit euroatlantik të
Kosovës, duke i konsideruar si të papranueshme nxitjet për autoritete paralele
në Kosovë.
Lidhur me Kosovën, u shpreh Ministri Imami,
vlerësimi ynë është që stabiliteti politik është i qartë, progresi është
i dallueshëm, tha Imami duke theksuar se NATO dhe Kosova mund të quhen një
histori suksesi.
Por Ministri Imami theksoi se në veri të
Kosovës, sidomos në zonën e Mitrovicës ka ende probleme të sigurisë që lidhen
me struktura paralele, që nuk shkojnë në drejtimin e duhur për të cilin folëm
edhe në këtë takim të NATO-s.
Për ne, ka vijuar më tej z. Imami, është e
rëndësishme që Kosova të fillojë të futet në rrjedhën e integrimit rajonal dhe
në veçanti në rrjedhat e integrimit euroatlantik. Kjo do të ishte garancia
përfundimtare për paqe dhe stabilitet në Kosovë e në rajon.
e.r/NOA