E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legaliteti: PS po vepron si baballarët e saj të diktaturës

Tiranë, 28 janar NOA - Partia Lëvizja e
Legalitetit dënon aktin më të fundit të Partisë Socialiste që, me kërkesën e
saj për ngrirjen e kredencialeve të delegacionit shqiptar në Asamblenë
Parlamentare të Këshillit të Evropës, kishte si qëllim mospjesëmarrjen e vendit
tonë në këtë organizëm mjaft të rëndësishëm dhe cenimin e imazhit të vendit
tonë në bashkësinë ndërkombëtare.

Fatkeqësisht, nga lajthitjet e opozitës, jo
vetëm partia Lëvizja e Legalitetit por i gjithë opinioni politik dhe publik
ndjehen të shqetësuar, sepse vendi nuk ka opozitë dhe se kjo e fundit ka kohë
që i është shmangur institucioneve dhe po i drejtohet çdo dite e më shumë
zgjidhjeve të rrugës, - tha Ekrem Spahiu, kryetar i PLL.

Sipas tij, rikthimi i dukshëm i kursit të
Partisë Socialiste në metodat tipike të Partisë së Punës pas 20 viteve
pluralizëm tregon jo vetëm papërgjegjshmërinë e lidershipit të kësaj force
politike, por edhe faktin e dhimbshëm se baza sociale që e voton PS për inerci
të Partisë së Punës ka mbetur e pa emancipuar si 20 vjet më parë.

Nëse baballarët e tyre ushtruan diktaturën më
të egër nga të gjitha vendet komuniste, duke e izoluar plotësisht Shqipërinë,
pushkatuar, burgosur, internuar dhe privuar çdo kundërshtar politik,
sekuestruar dhe kolektivizuar gjithçka, bijtë e tyre tani mbas 20 vitesh janë
mobilizuar si asnjëherë tjetër për të destabilizuar rendin kushtetues dhe
dëmtuar imazhin e Shqipërisë, - theksoi Spahiu duke mos kursyer gjuhën e ashpër
ndaj opozitës së majtë.

Në përfundim, ai tha se partia Lëvizja e
Legalitetit mbështet dhe inkurajon çdo përpjekje racionale brenda Partisë
Socialiste që synon ta rikthejë atë brenda institucioneve dhe ta bëjë pjesë të
zhvillimeve demokratike dhe integruese që po përjeton vendi ynë.

e.r/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›