Të forcohen institucionet e pavarura kushtetuese
Prezantimi
Kreu i ri i USAID-it në Shqipëri, Jozef Williams, takon Presidentin Topi
është prezantuar dje kreu i ri i USAID-it në Shqipëri(Agjencisë së SHBA për ndihmat), Jozef Williams, i cili është pritur në një audiencë të veçantë dje paradite nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Zyrtari i USAID-it i është prezantuar Presidentit Topi nga ambasadori amerikan në Shqipëri, John Withers. Sigurisht, pjesa kryesore e këtij takimi ka qenë përshëndetës dhe njohës, por nuk ka munguar diskutimi edhe për situatën politike në Shqipëri. Drejtori i ri i USAID-it, Williams, pasi ka përshëndetur ecurinë që ka bërë Shqipëria në kuadrin e integrimit në NATO, ka lëshuar edhe një mesazh të rëndësishëm politik, sipas të cilit: “ruajtja dhe forcimi i institucioneve të pavarura, konsolidimi i shtetit të së drejtës, një ekonomi e zhvilluar si dhe një sistem drejtësie i pavarur janë të domosdoshëm për një vend demokratik, që aspiron të bëhet pjesë së shpejti edhe e familjes së madhe europiane”. Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, në takim, Topi bëri një ekspoze të zhvillimeve më të fundit e më të rëndësishme në vend, duke u ndalur sidomos në reformën e sistemin e drejtësisë, përmbushjen e standardeve integruese, si dhe përpjekjet për të forcuar pavarësinë e institucioneve kushtetuese apo siç e quajti “për të fituar betejën e ditës për demokraci”. Gjithashtu, kreu i shtetit vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të gjithanshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Shqipërisë si në integrimin e saj në NATO, ku tashmë jemi aleatë dhe jo vetëm partnerë strategjikë, po ashtu edhe në konsolidimin e demokracisë dhe institucioneve shqiptare. Ndërkaq, kreu i shtetit shqiptar vlerësoi lart kontributin tepër të rëndësishëm që ky organizëm i qeverisë amerikane ka dhënë për konsolidimin e standardeve demokratike në vendin tonë, për forcimin dhe rritjen e profilit të shoqërisë civile, si dhe zhvillimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit në shumë fusha si ajo ekonomike, shëndetësore, arsimore, juridike etj. Presidenti Topi nënvizoi interesimin e shtetit shqiptar për vijimin dhe rritjen e numrit të projekteve në këto fusha me rëndësi për zhvillimin e Shqipërisë dhe përparimin e saj të mëtejshëm në proceset integruese.
#