Klubi Kombëtar, kundër regjistrimit mbi etninë
Qëndrimi
Klubi Kombëtar tërheq vëmendjen e qytetarëve të Shqipërisë se nëse në regjistrimin, i cili bazohet në vetëdeklarim, përfshihen pyetje për etninë dhe fenë, kjo gjë do të përbëjë një veprim të qëllimshëm dhe tendencioz, që do të rrezikojë seriozisht interesat kombëtare shqiptare. “Gjatë viteve të tranzicionit në Shqipëri ka ndodhur dukuria e shëmtuar e ndërrimit të kombësisë dhe i fesë së shumë shqiptarëve. Në shumicën dërrmuese të rasteve nuk kemi të bëjmë aspak me ushtrim të lirë të vullnetit të qytetarëve, por veprime të tilla janë kryer nën trysninë e shtrëngesës ekonomike, kufizimeve të lëvizjes së lirë jashtë vendit, apo për përfitime afatshkurtra materiale”, thuhet në deklaratë. Klubi Kombëtar ka ngritur me kohë shqetësimin për praktikat korruptive të organeve shtetërore shqiptare që kanë marrë pjesë në tjetërsimin e kombësisë së qytetarëve shqiptarë. “Pikërisht në prag të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që institucionet e shtetit shqiptar dhe një tufë prej atyre shqiptarëve që para dinjitetit vetjak e kombëtar kanë vënë interesa materiale të ngushta dhe të përkohshme materiale, të kryejnë një dëmtim të rëndë të pavarësisë së Shqipërisë”.
#