Legaliteti shpreh qëndrimin për Dosjet dhe vendimin e Kushtetueses
Tiranë, 3 shkurt NOA - Partia Lëvizja e
Legalitetit thotë se ndjehet thellësisht e indinjuar nga Vendimi i Gjykatës
Kushtetuese për rrëzimin e Ligjin të Dënimit të Krimeve të Komunizmit.
Nënkryetari i PLL, Murat Basha sot në një
dalje të posaçme për mediat, tha se kjo parti vazhdon të jemi konsekuente në
qëndrimin për hapjen dosjeve të diktaturës komuniste, dhe pastrimin e
administratës shtetërore nga të gjithë ata që në emër të diktaturës dhe luftës
së klasave kanë kryer krime karshi shoqërisë shqiptare.
Që në vitin 2004, nëpërmjet grupit të saj
parlamentar, PLL mori një nismë ligjore e cila synonte dënimin e krimeve të
komunizmit dhe pastrimin e administratës shtetërore, nismë e cila u rrëzua nga
maxhoranca e PS e asaj kohe, - tha Basha.
Ndonëse kemi rezervat tona për variantin e fundit të paraqitur nga qeveria dhe
të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, - shtoi Basha, - përsëri ne jemi në
mbështetje të çdo ligji që synon të dënojë krimet e komunizmit.
Sipas pikëpamjes tonë, dënimi i krimeve të
komunizmit dhe shkëputja nga e kaluara, nuk mund të bëhet me masa gjysmake që
përjashtojnë përgjegjësitë penale të individëve të implikuar drejtpërdrejt në
krime. Ripunimi dhe paraqitja rishtas i ligjit edhe mbi bazën e këtij kriteri,
është një domosdoshmëri dhe detyrim moral i maxhorancës aktuale, - vijoi numri
2 i Legalitetit.
Ai theksoi se kjo është një përvojë e njohur e
cila është zbatuar me sukses në të gjitha vendet e Evropës ish komuniste, të
cilat për hir të së vërtetës, kanë pasur një represion shumë më të butë se
Shqipëria.
Po ashtu, Nurembergu është një shembull i
qartë se si mund të dënohet një diktaturë, krimet e saj dhe kriminelët që i
kanë kryer ato. Simon Visentali i ndoqi oficerët nazistë deri në fund të botës dhe
i çoi ato para drejtësisë. Kurse në Shqipëri kriminelët e diktaturës jo
vetëm që janë të lirë, por në një formë apo tjetrën vazhdojnë të gëzojnë po aq
pushtet sa kishin në kohën e diktaturës duke rrëzuar edhe ligje që synojnë të
rivendosin drejtësinë dhe paqen shoqërore, - përfundoi Basha.
e.r/NOA