E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, 21 mijë shtëpi kanë marre leje

25/03/2009  Në pritje 130 mijë pasuri

Mbi 21 mijë shtëpi e apartamente janë legalizuar që prej nisjes së procesit. Ndërsa 130 mijë pasuri të tjera janë në përmbyllje të procedurave. Burime zyrtare të Ministrisë së Punëve Publike theksuan se procesi i legalizimit është në fazën përmbyllëse të tij. “Vetëm gjatë dy javëve të fundit janë dhënë lejet e legalizimit për mbi 21 mijë shtëpi e apartamente, ndërkohë që sipas afateve të përcaktuara, 15 ditë pas dhënies së lejes së legalizimit, zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bën hipotekimin e këtyre pasurive, duke shënuar kështu finalizimin e të gjitha procedurave. Në vijim janë 130 mijë pasuri të tjera, që brenda një kohe po kaq të shkurtër dhe me të njëjtën shpejtësi do të mbyllin procedurat. Kjo fazë shënon përmbushjen e një prej angazhimeve më të rëndësishme të qeverisë dhe futjen në ligjshmëri të qindra mijëra pasurive të krijuara me mund dhe me djersë nga qytetarët shqiptarë”, - thanë burimet zyrtare të MPPTT-së. Burime nga Agjencia e Legalizimeve thanë se ka përfunduar mbi 80 për qind e procesit. "Informaliteti është një tumor për ekonomitë familjare dhe ekonominë e vendit. Reforma po e nxjerr vendin nga informaliteti dhe po i shton ekonomisë shqiptare miliona dollarë pasuri të paluajtshme, të cilat tashmë janë pjesë e tregut”, - tha zëdhënësi i ALUIZNI-t, Elvi Fundo.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›