E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë; Sekuestrohen 95 kg hashash, gati për t’u trafikuar



Në një banesë në fshatin Bashaj të Vlorës, policia e këtij qyteti ka sekuestruar 95 kg hashash të presuar gati për t’u trafikuar. Sasia e lëndës narkotike u bllokua përgjatë një operacioni që Policia e Vlorës ka ndërmarrë dje në zonën e fshatrave të lumit të Vlorës. Pas hetimeve dhe informacioneve të marra në rrugë operative, blutë i janë drejtuar fshatrave të lumit, duke ushtruar kontrolle në disa banesa për të cilat vinte informacioni se gjendej hashash. Pas disa kontrolleve, forcat e policisë mundën të gjejnë dhe sekuestrojnë rreth mesditës së djeshme një sasi prej 95 kilogramë hashash, e gjetur kjo në një banesë në fshatin Bashaj të rrethit të Vlorës. Lënda narkotike është gjetur e sistemuar në tre qeska plastike dhe ka qenë në gjendje të presuar, gati për trafikim. Policia nuk ka dhënë ende asnjë informacion lidhur me të arrestuarit e mundshëm, apo identifikimin e autorëve, të cilët tashmë do të vihen përballë akuzës për “trafik të lëndëve narkotike”. Burime zyrtare nga policia kanë konfirmuar se operacioni po vazhdon ende, me qëllim gjetjen e mundshme të lëndëve narkotike në këto fshatra.

Durrës

Asfiksohet nga litarët e lisharëses, humb jetën i mituri

Një fëmijë 8-vjeçar ka humbur jetën dje në qytetin e Durrësit, kur lisharësja me të cilën luante i është ngatërruar në qafë. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e paradites, në lagjen Spitallë të qytetit bregdetar. Referuar të dhënave të dëshmitarëve okularë, policia bëri të ditur se i vogli, Agustin Lasku, ka qenë duke luajtur me bashkëmoshatarët e vet kur gjatë lojërave në lisharëse është ngatërruar në litarët lidhës të mbajtëseve anësore duke humbur jetën nga asfiksia. Policia ndërkohë po heton lidhur me faktin, nëse është vetëmbytur aksidentalisht apo kanë qenë fëmijët që e kanë mbytur padashur nga loja. Kanë qenë orët e paradites, kur policia u sinjalizua për këtë ngjarje vetëm kur në spitalin e Durrësit është dërguar më urgjencë një fëmijë i vogël, 8 vjeç që kishte humbur jetën duke luajtur me shokët e tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›