E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, Berisha: Rama mashtron se do t’i bëjë falas, por do t’ju thotë shkoni nga erdhët

TIRANE – Kryeministri Berisha akuzon kryetarin e PS-së, Edi Rama, se po mashtron qytetarët për çështjen e legalizimit të banesave, me premtimin se nuk do të paguajnë asgjë. Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e inaugurimit të Rrugës së Dibrës në Tiranë, kryeministri tha se nuk ka asnjë gjykatë në botë që të lejojë qeverinë të japë falas pronën e tjetrit.

“Qytetarët që kanë banesa për legalizim. Vëllezër, Edi Rama është armik për jetë e vdekje i ndërtimeve tuaja. Mos u mashtroni prej tij. Sa ishte kryetar bashkia iu tregoi buldozierët dhe rruspat. Ju konsideroi çeçenë, shpellarë etj. Edi Rama deklaroi se do anulojë ligjin që njeh banesat tuaja. Të gjithëve do tu thotë shkoni nga keni ardhur. Asnjë qeveri në një vend të lirë, askurrkush nuk mund t’i falë kujt pronën e tjetrit. Nuk ka gjykatë që të pranojë që një qeveri të falë pronën e privatit tek një privat tjetër. Ky është një mashtrim i paskrupullt, për t’ju marrë votën e pastaj për t’ju thënë, shkoni nga keni ardhur”,- deklaroi Berisha.

Sipas Berishës, demokratët do ta përmbyllin procesin e legalizimit brenda këtij viti, ndërsa theksoi se kryerja e 70% të pagesës me letra me vlerë është një lehtësim i madh për qytetarët.

Kryeministri Berisha fitoi të gjithë qytetarët e Tiranës të marrin pjesë në votime, duke e cilësuar 23 qershorin si një ditë përcaktuese për zhvillimin e Tiranës dhe Shqipërisë.

“Projekti i katër viteve që vijnë është projekti i Tiranës së zhvilluar, të punësimit, Tiranës së integruar në BE. Rindërtimi i rrugës së Dibrës është një nga veprat në të cilat Bashkia e Tiranës dhe kryetari që u zgjodh në maj të 2011-ës po ndryshon Tiranën. Vepra të tjera të mëdha do t’i japin Tiranës pamjen që meriton. Plani urbanistik është i bazuar në drejtësinë sociale, zhvillimin e pronës, qëndrimin e barabartë para qytetarëve. Plani është Kushtetuta që do zbatohet dhe që u dha fund njëherë e mirë sekserëve”,- tha Berisha. 

Bashkia e Tiranë bën të ditur se rikonstruksioni i rrugës së “Dibrës”, në Njësinë Bashkiake Nr.8 është një investim me vlerë 98 milionë lekë, gjatësi rreth 1,4 km dhe gjerësi nga 10.50 deri në 14 metra. 

Trotuaret në të gjithë gjatësinë nuk janë më të ngushtë se 2 metra. Është ndërhyrë në ndërtimin e sistemit të kanalizimeve, vendosjen e 112 copë ndriçuesve rrugorë, mbjelljen e 350 fidanëve të llojit bli, vende parkimi për automjete etj. Rehabilitimi ka prekur të gjithë shtresat nëntokësore, rehabilitimet e rrjetit të kanalizimeve të ujësjellësit. Rruga e Dibrës do të jetë arterie kryesore e qytetit, në kuptimin e transportit publik dhe në veçanti, të parapërgatitjes për projektin e tramit, një ndër arteriet e rëndësishme të linjës Kinostudio-Kombinat janë zhvendosur të gjithë kabllot ajrore.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›