E Shtunë, 31 Tetor 2026

Piramidat, qeveria rrëzon paktin me BKT

Huamarrësit e firmave piramidale nuk do të marrin më paratë nëpërmjet Bankës Kombëtare Tregtare, por përmes një banke tjetër, e cila do të përcaktohet nga Grupi Mbikëqyrës. 

ADI SHKEMBI

Huamarrësit e firmave piramidale nuk do të marrin më paratë nëpërmjet Bankës Kombëtare Tregtare, por përmes një banke tjetër, e cila do të përcaktohet nga Grupi Mbikëqyrës. Qeveria ka miratuar dje në mbledhjen e radhës së saj një ndryshim në pikën 1, të nenit 8, të ligjit nr. 8360, datë 10.06.1998, “Për kriteret dhe mënyrën e shpërndarjes së pasurisë së personave juridikë, jobankarë, që kanë marrë hua nga publiku i gjerë”. Sipas këtij ndryshimi, “për shpërndarjen e vlerave pasurore të secilit kreditor ngarkohet banka e përzgjedhur nga grupi mbikëqyrës i shoqërive huamarrës, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë”. Ndërkohë kushtet që duhet të plotësojë banka e përzgjedhur duhet të jenë: Të ofrojë interesa më të larta për kapitalet e depozituara për shpërndarje; të ofrojë një pagesë më të ulët komisioni bankar për shërbimin e kryerjes së pagesës për çdo kreditor; të ketë shtrirje territoriale me njësi bankare në qytetet kryesore të vendit; të ngurtësojë një vlerë, depozitë të konsiderueshme financiare, si garanci bankare, për shpërndarjen e vlerave financiare kreditorëve.
Argumentet
Në relacionin që i bashkëngjitet këtij pr/ligji thuhet se, pas miratimit të tre vendimeve të qeverisë nr. 586. 587 dhe 588, grupi mbikëqyrës hartoi një projektmarrëveshje, e cila do të lidhej me Drejtorinë e Përgjithshme të BKT-së, ku ishin përcaktuar rregulla të hollësishme për mënyrën, kohën, radhën e shlyerjes së kreditorëve, lëvizjen e fondeve financiare për likuidim, si dhe normat e interesit, që do të aplikoheshin në favor të shoqërive huamarrëse, për fondet e depozituara në bankë. Gjithashtu bëhet e ditur se, në takimet dhe negociatat me Drejtorinë e Përgjithshme të bankës për tre muaj rresht nuk është rënë dakord për lëvizjen e fondeve financiare sipas vlerës së likuiduar, si dhe për interesat që ofronte BKT-ja për fondet e depozituara. “Kjo bankë, duke qenë se me vendimet e mësipërme të Këshillit të Ministrave, kishte ekskluzivitetin, na vuri kusht, që të gjitha fondet financiare të kalonin në llogari rrjedhëse me një përqindje interesi nga 0.5% në 1.2% në vit. Po kështu edhe komisioni bankar për shërbimin e kryerjes të pagesës kërkonte që të ishte 100 lekë për çdo kreditor”, thuhet në relacion. Më tej bëhet e ditur se, Grupi Mbikëqyrës dhe administratorët e shoqërive huamarrëse, nga testimet e bëra në bankat vendase dhe ato të huaja që operojnë në Shqipëri ka rezultuar se, normat e interesit, që aplikohen për depozitat në lekë për një vit variojnë nga 5.1% në 7.35%, ndërsa në valutë, nga 2.5% deri në 4.2% në vit. Ndërkohë që komisioni bankar për shërbimin e kryerjes së pagesës në sportel, për një kreditor ofrohet deri në 50 lekë. “Me ndryshimin që propozohet të bëhet, buxhetit të shtetit i kursehet gjithsej 6.650.000 lekë, vetëm nga pagesa e komisionit bankar, duke pasur parasysh që janë 133.000 persona kreditorë për likuidim. Gjithashtu dhe nga përqindja e lartë e interesit, që ofrojnë bankat e tjera për fondet e depozituara nga shoqëritë huamarrëse, përfitimi do të jetë i konsiderueshëm, rreth 55.000.000 lekë në vit, i cili do të shkojë në interes të kreditorëve”, citohet më tej në relacionin e pr/ligjit të miratuar dje nga qeveria.

Pronat e fajdeve, shfuqizohet vendimi

Qeveria ka shfuqizuar dje një vendim të marrë në vitin 2001 për regjistrimin e sipërfaqeve të trojeve, ku janë kryer investime për ndërtim objektesh në pronësi të shoqërive huamarrëse. Sipas këtij vendimi, trojet shtetërore, ku shoqëritë huamarrëse kanë bërë investime regjistrohen në emër të vetë shoqërive. Në relacionin që i bashkëngjitet këtij vendimi thuhet se, ky akt ligjor është një veprim i paligjshëm, pasi duhet të vinte si rezultat i një veprimi juridik kalimi pronësie nga shteti te pronari privat. “Këshilli i Ministrave nuk mund të marrë vendime regjistrimi të një prone të caktuar. Ky këshill si pronar i pronës shtet kryen veprime me pronën shtet, por regjistrimi i saj është subjekt i sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, i cili funksionon mbi bazën e ligjit të regjistrimit”, citohet në relacion. Pas këtij vendimi shitja e objekteve do të bëhet pa truallin e shtetit. Kryeministri Berisha tha në mbledhjen e djeshme të qeverisë se, me këtë vendim ish-kryeministri, Ilir Meta, u dorëzoi firmave rentiere si pronësi një tokë që ato nuk e kishin kurrë në pronësi. Ky vendim, theksoi kryeministri, u bë për qëllime përfitimi personal, duke u dhënë pjesët më të bukura të bregut firmave rentiere dhe për t’jua marrë me klanin e tij. Kryeministri e konsideroi vendimin e vitit 2001 të karakterit arbitrar, i marrë jashtë kompetencave ligjore të Këshillit të Ministrave, për të urdhëruar regjistrimin në pronësi të shoqërive huamarrëse të sipërfaqeve të trojeve në pronësi të shtetit. “Ligji “Për administrimin e shoqërive huamarrëse” ka të bëjë me administrimin e pasurive të mbetura në ngjashmëri të plotë me një proces likuidimi, të një shoqërie në proces falimentimi. Nuk ka asnjë mbështetje ligjore autoriteti i administratorit sipas të cilit fiton pronësi të reja (troje në rastin konkret), në rritjen e aseteve të kompanive huamarrëse. Në këtë kuadër është tejkaluar autoriteti ligjor mbi administrimin e kompanive huamarrëse”, theksohet më tej në relacionin e këtij vendimi. Në të njëjtën kohë, është rrëzuar edhe argumenti i përdorur në vitin 2001, sipas të cilit, trojet shërbejnë për t’i rritur vlerën objektit. Ku argument, sipas këtij varianti të qeverisë, nuk qëndron.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›