E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, PS: Lejet e qeverisë janë copa letre

 

Aristir Lumezi

Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë se ka gënjyer qytetarët në procesin e legalizimeve. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Sigurisë dhe Administratës Publike në PS, Ylli Manjani, i cilësoi lejet e legalizimeve copa letre, që nuk i japin asnjë vlerë pronës së legalizuar. “Saliu dhe Shabani gënjyen kur thanë se po shpërndajnë tapi, sepse sipas ligjit të tyre të Legalizimit, ata mund të japin vetëm një copë letër që quhet ‘leje legalizimi’, dhe jo vërtetim pronësie. Këtë vërtetim qytetarët do ta marrin vetëm në zyrat e Regjistrimit të Pasurive dhe jo në ceremonitë elektorale të Saliut dhe Shabanit”, tha Manjani. Kryetari i komisionit juridik në PS, tha dje se banorët e zonave dhe ndërtimeve informale janë gënjyer nga kryeministri se përmes këtij procesi do të rritet dhe vlera e ndërtimit, duke e konsideruar atë si proces. “Saliu dhe Shabani gënjyen kur iu thanë shqiptarëve se prona e tyre do të vlerësohet në treg, sepse ajo copë letër që ju dhanë nuk i shton asnjë vlerë pronës së legalizuar. Jo vetëm kaq, por as Saliu, as Shabani, e as kush tjetër në këtë qeveri nuk garanton cilësinë e këtyre ndërtimeve”, tha Manjani. Sipas tij: “Ata lanë duart nga përgjegjësia për cilësinë e këtyre ndërtimeve, kur me ligj vendosën të mos mbajnë asnjë përgjegjësi”. Ai tha gjithashtu, dje se ligji i legalizimeve edhe nga ana juridike nuk ka vlerë për shkak të afatit kohor të veprimit. “Saliu dhe Shabani gënjyen, sepse ligji “Për legalizimet”, i hartuar dhe i ndryshuar nga vetë ata të dy, tashmë duhet të kishte dalë nga fuqia juridike, sepse procesi duhet të kishte mbaruar para 2 vitesh. Në këtë rast më shumë sesa gënjyen, Saliu dhe Shabani e shkelën ligjin e tyre me të katër këmbët”! tha Manjani. Kryetari i komisionit juridik tha dje se procesi i legalizimeve do të përfundojë kur PS të vijë në pushtet. “PSSH mbetet e angazhuar, që ky proces jo vetëm të përfundojë në kohë, por të fillojë procesi i urbanizimit të këtyre zonave, duke i bërë ata familje pjesë të qytetit ku kanë zgjedhur të banojnë”, tha Manjani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›