E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, bien amendamentet e ALUIZNI-t

 

Rrëzohen amendamentet e ALUIZNI-t për dhënien e tapisë së banorëve përpara kryerjes së pagesës për legalizimin e banesave. Komisioni parlamentar i Ligjeve i ka cilësuar të rrëzuara këto amendamente të paraqitura, për shkakun se nuk kishte mbërritur asnjë mendim nga ana e Ministrisë së Financave në lidhje me amendimet e paraqitura, për efektet financiare që do të kenë ato në të ardhmen. Në mbledhjen e djeshme nuk ishin prezent as përfaqësuesit e Ministrisë së Financave dhe të ALUIZNI-t, duke bërë që Komisioni i Ligjeve ta cilësojë të mbyllur një çështje të tillë, duke lënë në fuqi vetëm variantin e qeverisë. Kryetari i Komisionit parlamentar të Ligjeve, Ilir Rusmali deklaroi se, “ende nuk ka një konsensus mes qeverisë dhe ALUIZNI-t dhe se nuk mund të shqyrtohen”. Kështu ndryshimet në këtë ligj mund të realizohen vetëm nëse do të arrihet një konsensus mes dy institucioneve. Tashmë duhet të paraqitet një nismë e posaçme më vete, duke mos ia bashkangjitur nismës aktuale të qeverisë, pasi është miratuar nga ana e Komisionit parlamentar të Ligjeve. Në variantin e Këshillit të Ministrave u jepet e drejta banorëve që pagesën e legalizimit ta paguajnë me bono privatizimi, ose me letra me vlerë. Kjo deri në 50 për qind të shumës totale që kanë për të paguar. Në këtë pagesë, sipas nenit 1, pika 2 të draftit, përfshihen “bonot e privatizimit, të përfituara nga ish të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore, kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit”. Ndërsa pagesë me para bëhet për taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare, që lidhen me kalimin e së drejtës të pronësisë”. Ligji ka parashikuar që nga blerja me bono privatizimi të përfitojnë edhe ata persona që kanë kryer pagesën pranë sporteleve të ALUIZNI-t. Kështu ato mund të paraqesin një kërkesë se duhet të përfshihen nga një skemë e tillë, kjo brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e ligjit. Institucioni përgje-gjës, pra ALUIZNI, duhet të japë vendim që të këmbehen më pas lekët me bonot e privatizimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›