Vizat, dritë jeshile Shqipërisë
BLEDAR HOTI
Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Evropian ndez dritën jeshile për përfshirjen e Shqipë-risë në procesin e liberalizimit të vizave me shtetet e BE-së. Komiteti i Jashtëm në PE vendosi dje të përfshijë Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën në listën e bardhë të Shengenit, duke iu bashkangjitur tre vendeve të tjera, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Komisioni i marrëdhënieve me jashtë në Parlamentin Evropian miratoi kështu propozimin e raportueses sllovene, Tanja Fajon, anëtare e Komitetit të Çështjeve të Drejtësisë dhe Lirive Civile. Komiteti ka vendosur gjithashtu që të nisë dialogu me Kosovën për planin e liberalizimit të vizave, pa paragjykuar statusin e Kosovës. Parlamentarja sllovene Fajon ka shpjeguar në këtë komitet se mungesa e liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën i izolon këto vende. Në favor të këtij drafti votuan 51 vota pro dhe 8 kundër. Një tjetër votim i Parlamentit Europian do zhvillohet më 15 tetor. Ndërsa eurodeputetja Sarah Ludford tha se, “Parlamenti Europian i ka dërguar një sinjal shumë të fuqishëm të gjithë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, duke mbështetur lëvizjen e lirë pa viza me Bashkimin Europian, përmes futjes në linjën e procedurave ligjore”. “Por, duhet theksuar se heqja e vizave në të vërtetë do të hyjë në funksionim vetëm kur të gjitha vendet të përmbushin standardet e nevojshme të sigurisë. Topi tani është në duart e gjyqësorit dhe qeverive të Bosnjës dhe Shqipërisë dhe qytetarët e këtyre vendeve duhet të ushtrojnë presion tek ata që të përmbushin standardet e BE-së me shpejtësi”, tha raporterja Ludford. Eurodeputetja sllovene, Fajon, bëri dy javë më parë rekomandimin për përfshirjen e Shqipërisë dhe Bosnjës në hartën e liberalizimeve, duke kërkuar amendimin e Rregullit të Komisionit Evropian për vizat për vendet e Ballkanit Perëndimor. Fajon argumentoi se këto dy vende, të cilat duhet të përmbushin standardet e nevojshme, të mos u nënshtrohen procedurave të gjata legjislative edhe njëherë, por ato të përfshihen në regjimin pa viza automatikisht sapo Komisioni të jetë i bindur se kanë plotësuar kushtet. Në debatin e kryer më 30 shtator për kërkesën Fajon, eurodeputetët kanë vënë në dukje kërkesën se për përmbushjen në kohë sa më të shpejtë të të gjitha detyrimeve, duke shënuar progres jo vetëm në prodhimin dhe pajisjen e shtetasve me pasaporta biometrike, por edhe në drejtim të menaxhimit të integruar të kufijve, të luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve e korrupsionit dhe reforma në sistemin e drejtësisë.
spanja
Ministri i Jashtëm spanjoll, Moratinos, në takim me kryediplomatin shqiptar Ilir Meta, ka shprehur mbështetjen e vendit të tij për liberalizimin e vizave. Ministri spanjoll u shpreh se, “kjo është një çështje e karakterit teknik, për të cilën Shqipëria do të ketë mbështetjen dhe asistencën e Spanjës në përmbushjen e detyrimeve që ky proces mbart”.