Mjekët, në testim për vendin e punës
zirina llambro
Në testim për të ruajtur vendin e punës. Janë rreth 20 mijë bluza të bardha që do kalojnë në sitën e Ministrisë së Shëndetësisë. Nëse nuk kanë kualifikimin e nevojshëm do t’u duhet të largohen nga spitalet. Punësimi i tyre nuk do të varet më vetëm nga diploma e shkollës së lartë. Vetë ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili pranoi publikisht se në radhët e mjekëve ka jo pak persona, të cilët janë mjaftuar vetëm librat e shkollës dhe nuk shfrytëzojnë literaturën. “Njerëz të pakualifikuar dhe pa nivelin e duhur të dijeve nuk kanë vend në sistemin tonë. Sado që të përmirësojmë infrastrukturën, problem do të mbeten mjekët e paaftë. Pas kontratave me ISKSH-në do të jetë e detyrueshme kualifikimi i tyre”, u shpreh Vasili. Deklarata u bë gjatë një tryeze të rrumbullaket ku u diskutua Draft Dokumenti rregullator për certifikimin e profesionistëve të shëndetësisë. “Na duhen mjekë, stomatologë, farmacistë që bëjnë mirë punën e tyre. Mendoj se spitalet tona do të ishin shumë të varfra nëse nuk kanë njerëz të trajnuar profesionalisht, ndaj certifikimi i profesionistëve në fushën e shëndetësisë nuk shihet më si një çështje fakultative por si një detyrim moral profesional tashmë dhe shtetëror”, tha ministri.
Certifikimi
Certifikimi i mjekëve do të nisë nga janari i vitit që vjen. Vlerësimi i tyre do të jetë me kredite. Të parët që do të bëhen pjesë e këtij procesi do të jenë mjekët, stomatologët dhe farmacistët dhe më pas do të vazhdohet në nivele të tjera. Certifikimi do të kryhet nga Bordi Kombëtar i Akreditimit dhe Certifikimit që do të kryesohet nga Ministria e Shëndetësisë. Do të jetë ky bord që do të vendosë për procedurat dhe sanksionet. Ai do të zgjasë në cikle 5-vjeçare. Gjatë kësaj periudhe një mjek, farmacist apo dentist duhet të grumbullojë 150 kredite. Këto kredite do të vlerësohen në bazë të punimeve shkencore, literaturës, ëork shop-eve brenda dhe jashtë vendit. Në rast të mosplotësimit të këtyre kritereve, punonjësi do t’iu nënshtrohet dy provimeve dhe në rast moskualifikimi do të përballet me sanksionet që mund të shkojnë deri në heqje të së drejtës për ushtrimin e profesionit. “Vetëm kështu do të arrijmë të njohim nivelin e punonjësve të sistemit shëndetësor do të eliminonim ngjarjet si pasojë e profesionit. Kohët e fundit kemi verifikuar jo pak raste të një praktike të keqe”, ka theksuar ministri Vasili. Në tryezën e djeshme u hodh ideja e krijimit të një regjistri elektronik kombëtar për të gjithë punonjësit e sistemit shëndetësor. Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve shëndetësore është i lidhur ngushtë me zhvillimin e burimeve njerëzore në sektorin e shëndetësisë dhe përfaqëson një nga sfidat më të rëndësishme të reformës së sistemit shëndetësor shqiptar. Draft Dokumenti Rregullator është hartuar nga Qendra Kombëtare e Edukimit në vazhdim në bashkëpunim me partnerë të huaj.
reforma e re
Edukimi i vazhdueshëm për:
• Mjekët
• Farmacistët
• Dentistët
• Infermierët
150 kredite për 5 vjet do t’i mbledhin mbi bazën e:
• punimeve shkencore,
• trajnimeve,
• botimeve
• work-shopeve
Ligji, spitalet të akreditohen
Deri tani, automatikisht pas përfundimit të shkollës, studentët e mjekësisë kanë marrë titullin mjek. Dijet, profesionalizimi i tyre edhe atëherë kur nuk kanë qenë në nivelin e duhur, nuk ua kanë vënë më në diskutim. Përpos kësaj, as në kontroll. E gjithë kjo situatë ka bërë që ndryshe nga vendet e tjera, shërbimi shëndetësor të mos ecë me hapat e duhur. Kjo për aq kohë sa mungojnë kontrollet. Në kuadër të këtij ndryshimi, një nen i veçantë në ligjin “Për Kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë” i është lënë akreditimit të institucioneve shëndetësore. Çka do të thotë që do të kenë një sërë standardesh të matshme për cilësinë e shërbimit që do të ofrojnë. “Të gjitha spitalet marrin, përveç licencës nga Ministria e Shëndetësisë, të paktën një nivel minimal akreditimi nga Qendra Kombëtare e Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit për të siguruar që ambienti plotëson disa standarde të paracaktuara në lidhje me objektin fizik, organin drejtues, administrimin, procedurat, proceset, kodimin në funksion të përkufizimeve të protokolleve mjekësore, për personelin mjekësor dhe për personelin tjetër”, përcakton neni 25 i ligjit.
Prioritet trajnimet e mjekëve të familjes
“Mjekët e familjes, infermierët dhe mamitë që punojnë në kujdesin shëndetësor parësor, duhet të shikohen me prioritet pasi ata janë pika e parë e kontaktit me shërbimin shëndetësor”. Këtë bën me dije Ministria e Shëndetësisë. Sipas drejtuesve të këtij dikasteri, kualifikimi i tyre është i domosdoshëm edhe për një arsye tjetër. ”Formimi i tyre bazë mjekësor ka mangësi të theksuara, pasi specializimi në mjekësinë familjare dhe shkollat universitare për infermierë, janë ngritur relativisht vonë”, thonë specialistët. Për rrjedhojë, sipas tyre, shumica e mjekëve që punojnë si mjek familje, dhe shumica e infermierëve, nuk kanë formimin e duhur bazë. ”Ministria e Shëndetësisë do t’i kushtojë një vëmendje planifikimit dhe koordinimit të aktiviteteve trajnuese përmes alokimit të burimeve të nevojshme financiare për edukimin e vazhdueshëm. Pos kësaj një komponent shumë i rëndësishëm është ngritja e sistemit të akreditimit për aktivitetet e edukimit të vazhdueshëm”, kanë deklaruar krerët e shëndetësisë.