E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, gati pronësia për 83 mijë ndërtime

15/06/2010 ALUIZNI në terren për verifikimet. Këtë javë matjet në lagjen “Kombinat” në Tiranë

Rreth 83 mijë objekte të ndërtuara pa leje në zonën e Tiranës do të pajisen me certifikatën e pronësisë brenda muajit qershor. Burime nga Agjencia e Legalizimit dhe Urbanizimit në Tiranë bëjnë të ditur se për këto objekte, kalimi i pronësisë duhet të përfundojë brenda këtij muaji. Sipas të dhënave të vetë ALUIZNI-t, mësohet se kanë përfunduar matjet në terren për pjesën më të madhe të këtyre objekteve, por kanë mbetur ato shtëpi dhe objekte, ku ose nuk është gjetur njeri, ose janë larg. Ndërkohë në vijim të punës grupet e terrenit gjatë kësaj jave pritet të kryejnë matjet në kodrat e Kombinatit. Nga ana tjetër, pohohet se grupet e operatorëve të përhershëm, por edhe e gjithë administrata e Agjencisë së Legalizimeve të Tiranës, janë shpërndarë në zonat periferike të kryeqytetit, për të përfunduar matjet në terren. Por, në të njëjtën kohë, pohohet se pas përfundimit të dosjeve, për çdo objekt që do të legalizohet, do të kemi një pamje më të qartë të objekteve dhe pasurive të paluajtshme që ekzistojnë në territorin e Tiranës. Në këtë drejtim, deri në fund të këtij viti ALUIZNI parashikon legalizimin e 150 mijë ndërtimeve nga rreth 270 mijë ndërtime të vetëdeklaruara. Por, një pjesë e mirë e tyre nuk do të jetë pjesë e legalizimit, nëse është ndërtuar në kundërshtim me ligjin. Kjo punë në fakt nuk është detyrë e Agjencisë së Legalizimeve. Gjithsesi, ekspertët po llogarisin edhe ndërtimet që mbeten jashtë këtij procesi. Ligji i miratuar pak kohë më parë nga qeveria shqiptare parashikon që për ndërtimet që janë në zona me ndotje të madhe, si dhe me rrezik rrëshqitje të dherave të ketë pezullim të procesit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›