Legalizimet, ish-pronarët kundër përdorimit të bonove
TIRANE- Ish pronarët kundërshtojnë projekt/ligjin e qeverisë për përdorimin e bonove të privatizimit në procesin e legalizimeve, i miratuar tashmë në komisionet parlamentare. Ata shprehen se qeveria nuk i ka kompensuar për tokën që ka shpronësuar dhe që do ta legalizojë. Sipas përfaqësuesve të shoqatës “Pronësi me Drejtësi” , që prej datës 5 nëntor 2008 qeveria shqiptare ka botuar në fletoret zyrtare 5 vendime që përcaktojnë detyrimin e saj për të shpronësuar një sipërfaqe toke prej 342.777 metra2 kundrejt një vlerë prej 46 milionë euro. “Qeveria shqiptare deri sot nuk ka paguar asnjë qindarkë. Ajo që kemi dëgjuar është që qeveria do të verë në dispozicion për efekt të legalizimit shumën prej 8 milionë euro ndërkohë që e papaguar, si detyrim i qeverisë shqiptare deri tani , shuma llogritet në 46 milionë euro. ", u shpreh Nyshit Vorbsi, anëtar i kryesisë së shoqatës "Pronësi me Drejtësi”. Ish pronarët kanë kërkuar shfuqizimin e një vendimi të mëvonshëm të qeverisë, i nxjerrë në datën 10 qershor 2009, i cili parashikon që për pronarët e shpronësuar nga procesi i legalizimit dhënia e pagesës të bëhet me këste të barabarta dhe të shtrira në kohë, në varësi të të ardhurave të arkëtuara nga pronat e legalizuara. Ata deklarojnë se qeveria duhet të zabtojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rastet e legalitimit, që parashikon pagesën e pronarëve prenda 3 muajsh. “I kërkojmë qeverisë që urgjentisht të realizojë pagesën e fondit prej 46 milionë eurosh për pronarët e shpronësuar , sipas 5 vendimeve të Këshillit të Ministrave. Në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për rastet e legalizimit shpronësimi i pronarëve të bëhet sipas rregullave të ëprcaktuara në ligjin 8561” u shpreh Vorbsi. Përfaqësuesit e shoqatës “Pronësi me Drejtësi” kanë deklaruar se në rast se qeveria nuk reflekton lidhur me kërkesat e tyre, atëherë ata do ti drejtohet Gjykatës së të drejtave të njeriut në Strasburg. (e.n/News24/BalkanWeb)