E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, ndryshimet e PD nuk bindin ish-pronarët

 

Ish-pronarët radhisin kundërshtimet për ligjin e legalizimeve. Skeptike edhe PS

TIRANË- As ndryshimet e bëra rishtazi nga mazhoranca për projektligjin e legalizimeve nuk kanë kënaqur ish-pronarët e trojeve mbi të cilat janë ngritur ndërtimet pa leje. Të thirrur dje në Komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, përfaqësues të Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” kanë deklaruar se as amendimet e reja të bëra mbi draftin e kthyer nga Presidenti i Republikës, nuk i japin zgjidhje një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me titullin e pronësisë dhe shpronësimit të pronarëve legjitimë. Ndërkohë që opozita nga ana e saj, ka përqendruar debatin në kërkesat e saj për t’i dhënë pushtetit vendor të gjitha kompetencat që ka edhe në ligjin ekzistues, në lidhje me procesin e legalizimeve.

Ish-pronarët

Agim Toro, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” ka renditur para komisionit dhe përfaqësuesve të ALUIZNI-t një sërë çështjesh që mbeten të pazgjidhura dhe që krijojnë mundësi për abuzim nga shteti, lidhur me të drejtën e ish-pronarëve të këtyre trojeve. Sipas tij, nuk mund t’i hiqet titulli i pronësisë një pronari, për t’ia dhënë dikujt tjetër, pa pasur përpara një kompensim të drejtë sipas çmimit të tregut. Ndërkohë, ka theksuar ai, pronarit legjitim duhet t’i lihet e drejta që të ankimojë në gjykatë vendimin e Agjencive të Legalizimit dhe të Kompensimit. Një tjetër çështje që duhet saktësuar në këtë draft, sipas Toros, ishte dhe kufizimi i zonave që do të legalizohen. “Në nenin 1, pika 1, thuhet se bëhet legalizimi i ndërtimeve informale dhe shtesave informate, edhe kur ato janë në ndërtim. Kjo na lë shijen e hidhur se do të legalizohen jo vetëm ndërtimet e realizuara më parë, por edhe ato që po bëhen aktualisht. Këtu janë hequr kufizimi i legalizimit të ndërtimeve pa leje në zonat turistike”, - u shpreh Toro, ndërkohë që numri dy i ALUIZNI-t e ka hedhur poshtë këtë pretendim. Ish-pronarët kërkuan, gjithashtu, që në ligj të përcaktohet afati dhe mënyra se si do të strehohen pronarët e ndërtimeve pa leje në ato zona ku ka një studim urbanistik. Sipas Toros, amendamentet shtesë nuk japin një zgjidhje për këtë çështje dhe lënë hapësira për abuzim. Ndërkohë që një tjetër pikë për të cilën ish-pronarët ngritën shqetësimin e tyre, ishte dhe ajo që ka të bëjë me institucionin që ka të drejtën për të dhënë kartelën e pronësisë pronarëve të rinj. Në këtë pikë ata kanë theksuar se duhet të jetë vetëm ZRPP-ja (Hipoteka) institucioni që jep këto kartela, dhe jo ALUIZNI.

Opozita

Pavarësisht përpjekjeve për një konsensus të gjerë, edhe opozita është shprehur skeptike në lidhje me zgjidhjet që ofron drafti i ri. Me anë të relatorit të saj në këtë komision, deputetit Pilo Keri, Partia Socialiste ka theksuar se ndryshimet e reja e lënë projektligjin përsëri antikushtetues. “Ndryshimet e paraqitura jo vetëm nuk e përmirësojnë projektligjin dhe ligjin bazë, por e përkeqësojnë atë dhe e lënë përsëri antikushtetues”,- u shpreh Keri në emër të opozitës. Ndërkohë që gjatë diskutimit nen për nen përfaqësuesit e së majtës në komision janë kujdesur më shumë në moscenimin e kompetencave të pushtetit vendor. Ata kanë theksuar se vendosja e një afati kohor prej 30 ditësh për të përfunduar procesin e kualifikimit të dokumentacionit lidhur me ndërtimet pa leje është i papranueshëm, pasi e ve këtë pushtet nën presion. Prandaj ata kanë kërkuar që ky afat të zgjatet edhe me 30 ditë të tjera, kërkesë e cila, me gjithë kundërshtimin e parë të përfaqësuesve të mazhorancës, duket se është rënë dakord që të përfshihet në draft. Ndërkohë që gjatë mbledhjes së djeshme janë bërë një sërë ndryshimesh më shumë në terminologjinë e përdorur në draft, duke filluar me nenet 3, 4 dhe 7, ku është kërkuar që të përcaktohen më qartë kompetencat midis ALUIZNI-t dhe pushtetit lokal. Gjatë mbledhjes së djeshme, relatori demokrat Ardian Kollozi ka paraqitur një draft të ri, ku është përfshirë dhe ndryshimi i nenit 12, të ligjit ekzistues, duke përcaktuar afatin 3 mujor për dëmshpërblimin e pronarëve legjitime dhe dhënien e certifikatave të pronësisë për pronarët e rinj.

Fejzi Braushi

Vërejtjet e ish-pronarëve

1. Nuk mund t’i hiqet titulli i pronësisë një pronari, për t’ia dhënë dikujt tjetër, pa pasur përpara një kompensim të drejtë sipas çmimit të tregut.

2. Vendimi që duhet ta marrë administrata shtetërore për shpronësim duhet të jetë i pranueshëm nga pronari, në kuptimin e çmimit dhe afateve. Pronari të ketë akses për t’iu drejtuar gjykatës.

3. Të përcaktohet qartë se legalizimi nuk do të përfshijë shtesat pa leje në ndërtim, si dhe nuk do të shtrihet në zonat turistike.

4. Të drejtën për të dhënë kartelën e regjistrimit të pasurisë duhet ta ketë vetëm Hipoteka dhe jo ALUIZNI.

5. Në ligj, të përcaktohet cili do të bëjë strehimin e banorëve, banesat e të cilëve nuk legalizohen pasi janë përfshirë në zonat me planifikim urban.

6. Të përcaktohet afati që këto familje do të rrinë në shtëpitë e paligjshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›